Cili do të jetë aksioni i Sali Berishës kundër Lulzim Bashës? Ish-kryeministri u përgjigj sonte në emisionin “Zonë e Lirë” në lidhje me aksionin që do të marrë kundër Bashës.


“Aksioni im kundër Lul Bashës është rivendosja, konsulta, debati me anëtarët e PD, aktivistët e PD, drejtues të PD.

Së pari për mënyrën sesi Lulzim Basha vendosi duke shkelmuar çdo pikë, rregull staturor.

Së dyti, Lulzim Basha me këtë veprim, me një akt pabesie synonte pa asnjë diskutim të hapë rrugën e bashkëpunimit me Edi Ramën.

Njëqind për qind i besoj marrëveshjes me Edi Ramën. Kam pasur dyshime, pasi nuk e kam ditur se kishte një marrëveshje”, tha Berisha.

Berisha tha se Lulzim Basha është treguar i pabesë me vendimin që ka marrë për ta larguar nga grupi parlamentar.

Ai dha detaje në lidhje me komunikimin që ka pasur me Bashën në momentin që i ka komunikuar vendimin.

Berisha u shpreh se e ka kundërshtuar vendimin e Bashës pasi nuk ishte tagri i tij dhe se kryetari i PD ua ka komunikuar vendimin deputetëve pasi ka paraqitur njëherë mesazhin.

“Pabesia njerëzore thyen çdo normë dhe çdo moral”, tha Berisha dhe foli edhe më tej për aktin: “Një akt të cilin e njoftoi 20 minuta para se të dalë në mesazhine tij. Ma tha mua në telefon dhe unë e kundërshtova në mënyrë kategorike, sepse nuk ishte tagri tij një vendim i tillë.

I kërkova që kundërshtimin tim të jua përcjellë të pranishmëve në mbledhje. Në fakt ai kishte paraqitur më parë mesazhin më pas shkoi për t’ua komunikuar. E bëri pa i lajmëruar. I la mbledhur për një orë, shkoi tek ata dhe i njoftoi. Pra mbledhjen e kishte bërë për t’i thënë vendimin”.