Bashkimi Demokratik për Integrim sot ka prezantuar programin e saj për zgjedhjet lokale në qytetin e Gostivarit.

Kryetari i Degës së BDI-së në Gostivar, Bashkim Hasani në konferencën e sotme për shtyp numëroi projektet që janë pjesë përbërëse e këtij programi dhe deklaroi se ajo është përpiluar në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe qytetarët.

Sipas Hasanit, platforma është pasqyrim objektiv i nevojave të qytetarëve që presin ndryshimin. Në të parashihen projekte të cilat do të jenë zgjidhje e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët e Gostivarit dhe që kanë në fokus jetën cilësore, zhvillimin infrastrukturor, arsim cilësor, krijimin e një ambienti të pastër dhe një vendi të sigurtë për të gjithë.

Ndryshe sot në Gostivar BDI do të mbajë Tubim zgjedhor ku do të prezantojë kandidatët për kryetarë komune dhe këshilltarë komunal.

Në vazhdim fjalimi integral:

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Sot edhe zyrtarisht ka filluar fushata për zgjedhjet lokale 2021. Bashkimi Demokratik për Integrim fushatën do ta fillojë pikërisht nga qyteti i Gostivarit ku do të prezantojë kandidatët për kryetar komunash dhe këshilla komunal.

Të nderuar,

Sot para Jush do të prezantojmë Platformën Zgjedhore të BDI-së për Komunën e Gostivarit. Në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe duke dëgjuar zërin e qytetarëve kemi përgatitur Platformën që parasheh zgjidhje të të gjitha problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët e Gostivarit, të cilat probleme nuk ka arritur ti zgjidh qeverisja e deritanishëm e komunës në krye me kryetarin Taravari.

Bashkë me Nevzat Bejtën si kandidat, pas 17 Tetorit do të fillojmë rrugëtimin e përbashkët për një qytet të pastër, të sigurtë për banorët dhe fëmijët e tyre, për infrastrukturë publike moderne, sportive, ambiente rekreative dhe arsim cilësor.

Është koha të ngrihemi për Gostivarin, të ndalojmë kaosin, ta çlirojmë qytetin nga qentë endacak, ta shëndrrojmë deponinë Rusino në një deponi të sigurtë e të rregulltë dhe të largojmë kazinot nga qendra e qytetit.

Pikësynimet kryesore të Bashkimit Demokratik për Integrim për Gostivarin janë :

-më shumë gjelbërim dhe ndërtim të pjesës së pazhvilluar të parkut

– shtigje të reja vrapimi dhe ciklizmi

-pastrimi i qytetit nga mbeturinat dhe ndotja duke pasur në fokus të punës rregullimin e deponisë Rusino sipas të gjitha standardeve ekologjike

-ndërtimi i një qendre të posaçme dhe moderne për strehimin dhe trajtimin e qenve endacak.

-kazinot dhe lojërat e fatit do ti zhvendosim nga vendbanimet dhe lagjet tona.

Katër vitet e ardhshme do të jenë vitet e realizimit të shumë projekteve për një infrastrukturë moderne si: tre parkingje nëntokësore, ashtu si dhe ndërtimi i urës së re që do mundësojë lidhje me autostradën rajonale – e ndërtuar bashkë me ekspertët gjatë planifikimit urbanistik. Do të zgjidhim problemin e parkingut e do të sjellim rend në qarkullimin e trafikut.

Furnizimi me ujë të pijshëm dhe sistem modern kanalizimesh për të gjithë qytetarët nëpër fshatra dhe lagje është gjithashtu pjesë e rëndësishme e planit tonë, bashkë me shkolla të reja e moderne, ku fëmijët tanë do të gjejnë sistemin arsimor që meritojnë.

-Një stadium i ri multifunksional për sporte e hapësira kreative për qytetin dhe fshatrat përreth, parqe të reja dhe zona të gjelbra, do t’a bëjnë Gostivarin një qytet ku ja vlen të jetohet, për të rinj e familjarë.

-Vendosja e sistemeve të ngrohjes ekologjikе, gazifikim në cdo vendbanim, përqëndrimi në energjinë diellore, si edhe implementimi i transportit publik të premtuar prej kohe do të kursejnë para për qytetarët tanë dhe do t’a transformojnë Gostivarin në një Komunë të blertë me ajër të pastër.

– Administratë elektronike dhe shërbime digjitale janë qëllimet tona për shërbim më efikas ndaj nevojave të qytetarëve.

-Për të rinjtë do të krijohen programe dhe do të jepen grante për realizimin e projekteve

– Gostivari do të jetë e-komunë me shkolla të digjitalizuara dhe internet të shpejtë dhe të lirë

BDI me ekipin e ri të qytetarëve plot motivim, me plan ambicioz për Gostivarin, me Nevzat Bejtën është garancia e përmbushjes së planit: Për një Gostivar më të mire, më modern për të gjithë ne!

Zgjidh jetë, Voto blertë!