Një tifoz i Formula 1 nga Liverpooli është arrestuar në Holandë, pasi ishte menduar se është shef i mafisë.

Policia besoi se 54-vjeçari, i njohur si Mark L., është shefi i mafisë siciliane Matteo Messina Denaro.

Ai u arrestua dhe u dërgua në Hagë të mërkurën, raporton BBC.

Prokurorët kanë thënë se burri, që ishte në Holandë për të shikuar garën e Shpërblimit të Madh të Holandës më 5 shtator, më vonë u lirua.

Denaro 59-vjeçar, kërkohe për bombardimet në vitin 1993, ku vdiqën 10 persona dhe u lënduan 93 tjerë.

Mark L ishte duke ngrënë në restorant me të birin e tij, kur Policia u fut duke realizuar një urdhërarrest të lëshuar nga autoritetet italiane.

Avokati i tij Leon van Kleef ka thënë se ishte “si film i keq, një tmerr në të cilin u gjet klienti im”.

“Imagjinoni se në një moment je duke ngrënë ushqim dhe papritmas e gjen veten në burgun e sigurisë së lartë në Holandë”, tha Kleef.

Ai ka thënë se klienti i tij është i zemëruar dhe nuk po mund të besojë se çfarë i ka ngjarë, por edhe nuk po mund të ndal të qeshurat.

“Ai është tifoz normal i Formula 1. Unë gjithmonë kam qenë i bindur se ai nuk ishte personi që po mendohej. Do të duhej të ishte një italian gjenial të kishte një theks të tillë të Liverpoolit”, tha Van Kleef.

Zëdhënësja e Zyrës së Prokurorit Publik në holandë, ka thënë se Mark L vazhdimisht kishte insistuar se është shtetas anglez dhe se është i pafajshëm.

Ajo ka thënë se pas hetimeve të bëra është konstatuar se është arrestuar personi i gabuar.

“Prokurori publik më pas në mbrëmje e ka liruar atë”, ka thënë ajo.

Denaro, që është në arrati nga viti 1993, është mafiozi më i kërkuar në Itali dhe njëherë kishte thënë se mund ta mbushë një varrezë me viktimat e tij.

Ai kërkohet për vrasjen e 50 personave.