Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha rrëfeu mbrëmjen e sotme hapat e lëvizjes së tij brenda PD-së në bazë për të kundërshtuar vendimin e Lulzim Bashës që e përjashtoi nga grupi parlamentar.


Lideri historik i PD-së u shpreh se do i drejtohet anëtarësisë për të votuar nëse vendimi i Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi, ishte i drejtë apo i gabuar. Në fund, ai tha se do të pranojë vendimin e anëtarësisë.

“Lëvizjen time e mbyll anëtarësia. E kam një lëvizje për të bërë gjithçka për të mos lejuar zvogëlimin dhe përçarjen e PD-së. Do të filloj foltoret me anëtarësinë vetëm e vetëm me këtë qëllim. Do i kërkoj vlerësimin e vendimit”.

Por cfarë ndodh nëse anëtarësia voton në favor të tij? A ka Sali Berisha ambicie për të rimarrë drejtimin e PD-së? “Nuk është qëllimi për kthimin e kryetarit Berisha” tha ai duke vijuar më tej për të mos e përjashtuar se me anëtarësinë do të flasë për të ardhmen.

“Nuk mohoj që kjo foltore dhe ky debat do të ndalet edhe për çështjen e perspektivës së PD-së”.

Por çfarë do të bëjë Berisha duke filluar nga nesër? “Kam filluar kontaktet dhe takimet me bazën” tha ai te SyriTv.

“Rikthimi im është shpallur në 19-20 maj. Kam një betejë përpara dhe duke mos paragjykuar asgjë. Por cfarë ndodhi? Ndodhi që nga shumë drejtime, informacionet se Basha ka shprehur që unë kam qenë arkitekti i qëndrimeve të gabuara të PD-së. Nuk kam asnjë fakt, por burime kanë qenë zyrtare dhe jo zyrtare, të huaja”.

Përjashtimin e Berishës, Lulzim Basha e cilësoi si vendimin e jetës së tij. Ish-kryeministri kishte këtë përgjigje sonte “Vendimi i jetës së kryetarit të PD-së duhet të ishte largimi i Ramës dhe jo thika pas shpine e Berishës.

Shumica e anëtarësisë nuk e besonte si lider Lulzim Bashën. PD është në krizë të thellë dhe rrezik të madh. Kjo është kriza më serioze në historinë e PD-së” theksoi ai.