Bombardimet ruse në një qendër tregtare në Harkiv të Ukrainës kanë lënë të vrarë të paktën 12 persona. Dhjetëra persona të tjerë janë plagosur nga sulmi i 25 majit, i cili goditi një qendër tregtare të mbushur me vizitorë.


Guvernatori i rajonit të Harkivit, Oleh Synyehubov, tha më 26 maj se 11 persona janë konfirmuar të vdekur, duke shtuar se ekipet e shpëtimit druajnë se numri i viktimave do të rritet.

Më herët, Synyehubov dhe zyrtarë të tjerë ukrainas thanë se sulmi u krye me dy predha nga Rusia, të njohura si “bomba rrëshqitëse”, pasi armë të tilla rrëshqasin drejt objektivit me apo pa sistem që i drejton. Këso armësh janë përdorur nga Rusia në mbarë Ukrainën.

“Deri më tani, ne e dimë se më shumë se 200 persona mund të kenë qenë brenda hipermarketit”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes një postimi në Telegram.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS, citoi një zyrtar të paidentifikuar rus, i cili tha se “një dyqan ushtarak dhe një post komande” ishte brenda qendrës tregtare, duke mos ofruar dëshmi për këtë pretendim.

Harkivi, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, në muajin e fundit po përballet me sulme të intensifikuara ruse, pasi Moska hapi një front të ri, pas nisjes së një ofensive të re në rajonin ukrainas me po të njëjtin emrë./REL