Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme sllovake konfirmoi të mërkurën se ka ndodhur një atentat për vrasjen e kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico.


Zyra e Qeverisë sllovake tha se Fico është në rrezik për jetë si pasojë e plagëve, dhe se ai u dërgua me helikopter në spitalin e qytetit Banska Bistrica.

Fico, 59, u godit në stomak pasi u shkrepën katër plumba pranë Shtëpisë së Kulturës së Qytetit, Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit, sipas TA3.

Fico sapo kishte dalë nga një takim qeveritar kur një i dyshuar shtiu ndaj tij.

Ai ishte i vetëdijshëm kur u dërgua në një spitalin Handlova, ku iu mjekua plaga e shkaktuar nga plumbi, tha një zëdhënës i spitalit në një përgjigje për Reuters përmes emailit.

Ai u transportua në një spital të nivelit më të lartë, pasi u mjekua fillimisht në spitalin e Handlovas, tha zëdhënësi.

Nënkryetari i Parlamentit të Sllovakisë, Lubos Blaha, konfirmoi incidentin fillimisht gjatë një seance parlamentare, të cilën e shtyu për datë të papërcaktuar, njoftoi agjencia sllovake e lajmeve, TASR.

Gazetarët, të cilët ishin në vendin e ngjarjes, thanë se u dëgjuan disa të shtëna me armë.

Një video shfaq Ficon duke u futur nga rojet e sigurisë me nguti në një veturë, e cila u largua me shpejtësi nga vendi.

Policia shihet gjithashtu duke e arrestuar një person, i cili besohet të jetë i dyshuari.

Presidentja e Sllovakisë, Zuzana Caputova, e dënoi sulmin “brutal dhe ta pamëshirshëm” ndaj kryeministrit.

“Jam e tronditur”, tha Caputova.

“Robert Ficos i uroj shumë forcë në këtë kohë të vështirë, si dhe shpresoj se do ta marrë veten shumë shpejt nga ky sulm”, tha ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e dënoi sulmin ndaj Ficos.

“Veprime të tilla të dhunës nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe e minojnë demokracinë, të mirën tonë të përbashkët”, tha ajo.