I pari që ofroi dorëheqje nga LSDM-ja pas publikimit të rezultateve, ishte nënkryetari i partisë, Fatmir Bytyqi.


Ai në zgjedhjet e 8 majit, nën siglën e LSDM-së, siguroi votat për tu bërë deputet.

Megjithatë, Bytyqi nuk hoqi dorë nga mandati i deputetit por vetëm nga posti partiak të cilin e mori pas ardhjes së LSDM-së në pushtet, e cila në qeveri ia besoi pozitën e zv.kryeministrit për çështje ekonomike.

Disa ditë pas zgjedhjeve, Bytyqi është shfaqur me një status në Facebook ku paralajmëron se do të vazhdojë të punojë për ndryshimin.

“Në politikë hyra për të bë ndryshimin dhe deri sa ajo të ndodh nuk heq dorë”!, ka shkruar Bytyqi.

Por, çfarë paralajmëron ai me këtë porosi?

Është e qartë se LSDM-ja pas humbjes së thellë do të shkojë në opozitë, ndërsa Bytyqi nuk ka precizuar nëse betejën e tij për ndryshim do ta vijojë brenda LSDM-së për reformimin e partisë, apo do t’i bashkëngjitet ndonjë subjekti tjetër për të qenë sërish pjesë e pushtetit dhe ta vazhduar “betejën” për ndryshime.