Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) shprehin shqetësim serioz për kallëzimin penal të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) kundër gazetarit Furkan Saliu për gjoja pengimin e punës së zyrtarit, dhe kërkojmë nga Prokuroria Themelore Publike që ta refuzojë menjëherë.


Kallëzimi penal ndaj Saliut nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme për pengimin e zyrtarit në kryerjen e detyrës zyrtare, u ngrit pasi para pesë ditësh ai u arrestua nga policia gjatë një ndeshje futbolli ku Saliu ka qenë i pranishëm si gazetar dhe ka tentuar të dokumentojë një incident për të cilin është penguar nga policia.

Fakti që nuk mund të përcaktohet baza e kallëzimit penal nga video materialet e deritanishme të ngjarjes, si dhe përndjekja e vazhdueshme mediatike nga media të afërta me parti politike, dhe në dëm të reputacionit të gazetarëve, lë vend për dyshim se vepra nuk ekziston fare.

Gjithashtu theksojmë se e gjithë ngjarja është përcjellë me gjuhë të urrejtjes në rrjetet sociale, e cila i vë gazetarët dhe punonjësit e mediave në një situatë të keqe dhe të pasigurt në këtë periudhë të ndjeshme parazgjedhore.

Kujtojmë se SHGM-ja dhe SPGPM-ja kërkuan zbardhjen e menjëhershme të rastit, mos cenimin e të drejtave të kolegut Saliu dhe kolegëve të tij të pranishëm në ngjarje, dhe që partitë politike të mos e përdorin atë në përplasjet e tyre ditore politike. Fatkeqësisht, në vend të zbardhjes së këtij rasti dhe marrjes së masave ndaj punonjësve të policisë që kryen kontroll të paautorizuar në automjetin e Saliut, si dhe ndaj atyre që përdorën forcën e tepruar gjatë privimit nga liria, Ministria e Brendshme vendosi për ndjekjen penale të gazetarit.

Për këtë rast, në Departamentin e Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Penale dhe Standardeve Profesionale të MPB-së është dorëzuar edhe një parashtresë formale për arrestimin e kolegut Saliu, ku janë evidentuar shkelje të të drejtave dhe është kërkuar hetim për veprimet e policëve nga kontrolli i brendshëm në MPB. Është kërkuar që menjëherë të hetohen këto pretendime dhe Ministria e Punëve të Brendshme të ndërmerr hapat e duhur ndaj policëve të përfshirë gjatë gjithë incidentit.

Theksojmë se SHGM dhe SPGPM solidarizohen me kolegun Furkan Saliu dhe se drejtësia për të është drejtësi për të gjithë kolegët gazetarë dhe punonjës të medias në vend.

Për këtë rast, SHGM-ja ka informuar organizatat ndërkombëtare gazetareske që monitorojnë të drejtat dhe liritë e mediave, dhe tashmë është ngritur alarmi për shkeljen e të drejtave të gazetarëve në Maqedoni edhe në Platformën për promovimin e mbrojtjes së gazetarisë dhe sigurisë së gazetarëve të Këshillit të Evropës.