Numri i fëmijëve që vuajnë nga kolla e madhe është në rënie në vend dhe kjo për shkak të rritjes së imunitetit me rritjen e vaksinimit, tha doktoresha Valentina Cvejoska-Çolakovska, drejtoreshë e Klinikës për sëmundje të fëmijëve në një brifing me gazetarët, transmeton Portalb.mk.


“Deri më tani në vend janë raportuar 443 pacientë me pertusis të konfirmuar dhe në klinikën tonë janë trajtuar gjashtë fëmijë, kryesisht foshnja të vogla. Të gjithë fëmijët kanë dalë në gjendje të mirë shëndetësore. Prej kohësh nuk kemi shtrime të fëmijëve me kollë të mirë në Klinikën tonë. Arsyet e kësaj epidemie janë për shkak të reduktimit të ndjeshëm të mbulimit me vaksinim sipas kalendarit të rregullt të imunizimit, i cili ka rezultuar në uljen e imunitetit kolektiv. Ndryshe, para epidemisë, rastet e fundit sporadike të raportuara të kollës së mirë janë vërejtur në vitin 2018. Jemi të kënaqur që vaksinimi me vaksina që përmbajnë pertusis është rritur, duke rritur kështu imunitetin tek fëmijët. Ka ndikuar edhe fakti që sezoni i sëmundjeve të frymëmarrjes ka përfunduar, gjë që ka rezultuar në uljen e numrit të të sëmurëve”, tha drejtoresha, e cila është në këtë detyrë që nga fundi i vitit 2023.

Sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, në periudhën prej 5 deri më 11 prill janë raportuar 44 raste të reja me kollë të mirë, me një rënie prej 10 përqind krahasuar me shtatëditorin paraprak (50). Nga 18 janari deri më 11 prill, janë dhënë gjithsej 39,031 doza vaksine që përmban një komponent të kollës së mirë.

Në brifingun për punën tremujore të vitit 2024, Cvejoska-Çolakovska në brifing foli edhe për pacientët me fibrozë cistike dhe tha se procedura për blerjen e barit “Trikafta” ka përfunduar.

“Kjo do të thotë se të gjithë pacientët me fibrozë cistike mbi 12 vjeç, të përshtatshëm për terapi moduluese, do të marrin ilaçin ‘trikafta’ gjatë muajit prill, terapi kjo më moderne për trajtimin e kësaj sëmundjeje. Përndryshe, terapia me ‘trikafta’ në vendin tonë është e disponueshme që nga viti i kaluar dhe tashmë kemi përvojë të efektit të jashtëzakonshëm pozitiv të terapisë tek këta pacientë”, shtoi drejtoresha.