PROFIL/Bujar Osmani, kryediplomati më i suksesshëm në Ballkanin Perëndimor!

Shkup, 3 mars – Në zgjedhjet e 7 – ta presidenciale shqiptarët e RMV-së, për herë të parë kanë dy opsione para tyre për të zgjedhur, profile të shkëlqyera të të dy kandidatëve për president, Bujar Osmani dhe Arben Taravari. Të dytë mjekë dhe profesionistë të shkëlqyer dhe të dëshmuar në fushën e vet. Ky është konstatimi i përgjithshëm i analistëve, gazetarëve dhe njohësve të mirë të çështjeve politike. Por kush prej atyre dyve ka “peshën” më të madhe në skenën e brendshme politike dhe atë ndërkombëtare dhe kush është më i aftë për të udhëhequr shtetin, atëherë pamenduar dy herë do të thonë se është ministri aktual i punëve të brendshme dhe njëkohësisht kandidati për President i BDI-së Bujar Osmani. Sipas Seladin Xhezairit, Osmani ka më shumë avantazhe ndaj Taravarit, pasi që është më gjatë në skenën politike dhe ka shumë bagazh dhe të arritura në veprimtarinë e tij politike, shkruan PRESSonline.al

“E para është përvoja politike dhe diplomatike; e dyta – vullneti dhe durimi për të dëgjuar tjetrin; e treta – guximi për të marrë vendime; e katërta – dhuntia në zotërimin e gjuhëve të huaja dhe e pesta – këmbëngulja për të pasur një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh e këshilltarësh dhe për t’i dëgjuar deri në fund ata”, deklaroi Xhezairi për PRESSonline.al

Përveç këtyre vetive, në profilin politik të Bujar Osmanit i përshkruhen edhe shumë suksese dhe të arritura gjatë udhëheqjes së tij në ministrinë e shëndetësisë, si zëvendëskryeministër në Sekretariatin për çështje evropiane, e në veçanti gjatë mandatit të tij si ministër i jashtëm kur janë nënshkruar shumë marrëveshje ndërkombëtare. Dhe çfarë më me rëndësi, shton Xhezairi, në asnjë moment nuk mund t’i gjendet vërejtje apo mungesë e aftësive organizative. Pa diskutim me këtë përvojë dhe zotësi që ka Osmani, me sukses mund të ushtrojë edhe postin e kreut të shtetit, tha Xhezairi.

“Nuk mund të flas shumë për kohën kur ka qenë ministër i Shëndetësisë, ndërkohë që them se ka shkëlqyer si Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane dhe ministër i Jashtëm (kur u arrit aderimi me të drejta të plota i Maqedonisë në NATO,, Marrëveshja me Greqinë, Traktati i Miqësisë me Bullgarinë, çelja e negociatave për anëtarësim në BE! Padyshim ka qenë lojtar goxha aktiv dhe me një sens të spikatur të ndërmjetësimit në tejkalimin e dallimeve sidomos mes Athinës dhe Shkupit zyrtar. Arritje bosht është, pa dyshim, mënyra se si e drejtoi për një vit OSBE-në dhe si ia doli ta pengojë shpërbërjen e saj (për shkak të luftës në Ukrainë) me samitin e organizuar në Shkup. Një arritje tjetër, që nuk po përmendet, është fakti se pikërisht gjatë mandatit të ministrit të Jashtëm, në këtë dikaster është futur edhe përdorimi i shqipes. Një miku im përkthyes po më thoshte kohë më parë se para kësaj në mjediset e MPJ-së gati se nuk ka pasur përkthime simultane edhe në shqip!”

Seladin Xhezairi

Ndonëse tepër shumë aktiv në skenën politike tashmë vite me radhë, Bujar Osmani në asnjë moment nuk e ka braktisur profesionin e tij primar, të qenit mjek, qëndron gjithmonë afër qytetarëve, vazhdon të jetë human dhe t’u ndihmojë qytetarëve në nevojë, shton Xhezairi në analizën e tij për PRESSonline.al mbi profilin e kandidatit.

“Mund të jem paksa subjektiv, se z.Osmanin e njoh që nga koha kur ishte për specializim në Londër. Po, përtej kësaj, atij, gjykoj unë, nuk mund t’i bëhet asnjë vërejtje për mungesë aftësish organizative apo të empatisë për të dëgjuar argumentet e tjetrit. Ndaj me ju dy dëshmi të miqve të mi: Motrën e bashkëshortit të një koleges sime maqedonase e kishte operuar Bujari dhe, kujdesi i tij për gjendjen e saj shëndetësore edhe pas largimit nga spitali, kishte bërë që komplet familja të ndryshonin mendim, jo për të, por për të gjithë shqiptarët! Dëshmia e dytë është e një mikut tim nga Tirana i cili tash së fundmi më fliste për Ministrin tonë të Jashtëm si për krye-diplomatin më të suksesshëm në Ballkanin Perëndimor. Jam i prirë të besoj se sikur kandidatura e z.Osmani të merrte mbështetjen e gjithë spektrit politik shqiptar ai padyshim se do të mund të kalonte në balotazhin e Presidencialeve të tetë majit”, shprehet Seladin Xhezairi për PRESSonline.al

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale mbahet më 24 prill, ndërsa rrethi i dytë më 8 maj, dita kur mbahen edhe zgjedhjet parlamentare, ndërsa fushata zgjedhore e presidencialeve do të zhvillohet prej më 4 deri më 22 prill.