“Lëvizja e BDI-së për “president për të gjithë” ishte një ide e paralajmëruar më herët. Pozicionet kyçe të drejtimit të shtetin kanë qenë në agjendën politike të BDI-së”, thotë për PRESSonline.al, gazetari dhe analisti politik, Driton Zenku, duke folur për “Frontin Europian” dhe zgjedhjet e dyfishta në vend, presidenciale dhe ato parlamentare.


“Proceset politike kërkojnë kohë dhe duhet gjetur momentin. Kështu ndodhi edhe me idenë e kryeministrit, erdhi në shprehje pas një dekade. Pra momenti është i rëndësishëm. BDI nxiti idenë e presidentin për të gjithë pikërisht tani, vlerësoj për disa arsye. E para, kandidati i propozuar nga LSDM nuk është në kondicionin e duhur kundrejt kandidates nga VMRO-DPMNE. Së dyti, opozita shqiptare doli me kandidat dhe BDI nuk mund të ishte indiferente në një periudhë si kjo. Me një fjalë si ide ka ekzistuar dhe tani ka ardhur në shprehje për shkak të rrethanave politike”, tha Zenku për PRESSonline.al

Ai thotë se idesë i shërben edhe krijimi i Frontit Europian edhe me parti të etnive të tjera. Blloku maqedonas ka katër kandidatë dhe nuk ka hapësirë për thithje votash nga ky trup elektoral.

“BDI synon votat e etnive të tjera që kanë një pikë të përbashkët me shqiptarët, pra religjionin (xhamitë, varrezat dhe martesat e përziera). Në anën tjetër, LSDM dhe BDI me koalicionet e tyre kryefjalë kanë Europën. VMRO-DPMNE akuzohet për politikë pro ruse. Përpjekjet bëhen që të pamundësohet zgjedhje e kandidatit të opozitën maqedonase në krye të shtetit. Presidenti ka kompetenca të kufizuara, por një president me qasje destruktive mund të bllokon procese të rëndësishme politike, sidomos në mos-nënshkrimin e ligjeve. Intenca dhe ideja e BDI-së do të shihet e qartësohet pas rrethit të parë zgjedhor”, analizon Zenku.