Kandidati për president, i LSDM-së dhe koalicionit Për Ardhmëri Europiane, Stevo Pendarovski, mbrëmë nga tubimi në Kavadar tha se 24 prilli do të jetë datë kyçe dhe se pikërisht në raundin e parë nevojitet mbështetje masive për konceptin që e çon vendin përpara, drejt integrimit në BE. Pendarovski theksoi se kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski deri më tani nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë duel me të në të ardhmen, dhe se Gordana Siljanovska-Davkova është zgjedhje personale e vetë Mickoskit. Pendarovski sot fushatën e vazhdon në Dojranin e ri, në Bogdanc, Vallandovë dhe Gjevgjeli.


“Pra, data 24 është data kyçe, sepse sipas bindjes sime të thellë, më datë 24, rezultati përfundimtar do të varet shumë nga ato rezultate për të dyja zgjedhjet, për president dhe parlament. Nëse në datën 24 tregojmë se jemi shumë, se jemi në shumicë të madhe dhe duam që kjo Maqedoni, i vetmi atdhe që kemi, të vazhdojë në të njëjtën rrugë, mendoj se do të jetë e qartë për të gjithë, përfshirë edhe kundërshtarët tanë politikë, se do të mbeten opozitë edhe në katër-pesë vitet e ardhshme”, theksoi Stevo Pendarovski, kandidat për president LSDM & koalicioni.