Një foto me Albinin, për t’u dukur patriot!

Medai Shaholli


Mbrëmë kandidati deleduk për president të “drzhavës Severna”, Arben Taravari me shokë, ia befi në Prishtinë për të marrë mbështetjen e nevojshme nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili i priti me pekuli kandidatin për president të “drzhavës” dhe shoqëruesit e tij, ku nga ai takim doktori kërkon të duket patrioti madh shqiptar para militantëve të tij.

Kandidati për president të “drzhavës” doktorTaravari, vajti në Prishtinë më shumë për “show” mediatik sesa një mbështetje zyrtare për kandidatin e VLEN-it, pasi ndërhyrja e premierit Kurti nuk do t’i ndihmonte aspak për ta zgjedhur president të “drzhavës”, sepse duhen 51% e votuesve të votojnë për zotin Taravari, një fakt ky që nuk ka asnjë gjasë teorike për ta fituar këtë betejë të humbur qysh në turin e parë.

Paraqitjet dhe fotot e pozuara me kryeministrin Kurti nuk të bëjnë president ty dhe askë tjetër z.Kandidat i humbur, ato janë thjesht shfaqje propagandistike, për t’i dhënë një mesazh shqiptarëve të “Severnës” se “ne jemi me Albinin dhe Albini me ne”!

Mbrëmë z.Taravari, nga takimi me premierin Kurti në Prishtinë ka shtuar:
“Tani jemi në Prishtinë për një takim shqiptarësh me simbolikë të Madhe!

Me Ilir Xhaferin pasardhësin e Arbën Xhaferit, me Feta Alimin, trim mbi trima dhe besnik, dhe me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili është Mbështetës i Kauzës Tonë, Insipirues dhe Shembull i Lëvizjeve të Mëdha!
NDRYSHIMI FILLOI”!, ka shkruar Taravari.

Le të shohim se ç’deshi të thotë kandidati ynë për president të “drzhavës” me togfjalëshin se “Albin Kurti është mbështetës i kauzës tonë, inspirues dhe shembull i lëvizjeve të mëdha”?!
Z.Taravari, publiku shqiptar nuk është i njohur me “kauzën tuaj” sesi e keni menduar ju atë kauzë inekzistente?
Nëse e keni një kauzë të tillë pse nuk e shpalosni për opinionin e gjerë?

Mos vallë mendoni me kauzën tuaj se në koalicionin e ardhshëm të përfolur me komitët e VMRO-së, do ta bindni mandatarin e mundshëm Micko, (nëse Micko bëhet kryeministër) ti si ëndërrimtar i postit të presidentit dhe grupimi juaj VLEN për ndryshime, do ta fshini 20% e turpit nga kushtetuta menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare?!

Apo në preambulën e kushtetutës do kërkoni që shqiptarët të kenë të njëjtin përkufizim si maqedonasit dhe jo si deri tani të degraduar në grupin e minoriteteve?

A u ka premtuar Albin Kurti mbështetje për “kauzat tuaja” apo janë sajesa dhe trillime para zgjedhësve shqiptarë, si pjesë e demagogjisë suaj për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare?

A janë inspirim i Albin Kurtit “lëvizja juaj e madhe” për ndryshim VLEN, që të ik njëri dhe të vij tjetri në pushtet me agjendë të huaj, apo janë thjesht makutëria juaj për pushtet?

Ahere, na thoni cila është kauza juaj që shqiptarët t’u besojnë në ato që thoni dhe zotoheni se do ta bëni?

Si konkluzion mund të thuhet se edhe më i padituri e kupton se “kauza juaj” është agjendë e porositur nga “baba dovleti” dhe jo e shqiptarëve për shqiptarët.