Pas sigurimit të lokacionit dhe krijimit të kushteve të nevojshme, ekipet inspektuese me prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup sot kanë filluar këqyrjen e objektit të sallës Universale ku dje ka rënë zjarri, transmeton Portalb.mk.


Vendndodhja do të ekzaminohet në detaje për të siguruar të gjitha provat e nevojshme për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. Një ekspert do të gjykojë nëse zjarri është shkaktuar nga faktor njerëzor apo nëse ka qenë aksident.

Gjatë ditës së djeshme, në kuadër të kompetencave të tij, Inspektorati Shtetëror i Punës ka kontrolluar veprimtarinë e kompanive të punësuara për rikonstruksionin e godinës dhe ka përgatitur një raport.

Meqenëse faza e grumbullimit të provave është ende duke vazhduar, gjegjësisht deri më tani nuk është konstatuar se zjarri është shkaktuar nga faktori njerëzor, dje në stacionin policor janë marrë deklarata nga tre personat e ndaluar, pas së cilës janë liruar duke pasur parasysh se në këtë nuk ka asnjë bazë për ndalimin e tyre të mëtejshëm.

Kujtojmë se sot zjarri kaploi Sallën Universale në Shkup. Kupola që u vendos pikërisht dy javë më parë sot u dogj. Nuk ka viktima apo të lënduar.

Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska tha se salla Universale në momentin e rënies së zjarrit ishte bosh.

Rreth orës 11, zjarri u vu nën kontroll deklaroi drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza (QMK), Stojançe Angelov.