Manastir, një 35-vjeçar me benzinë i ka djegur 6 aparate në një kazino

Prokuroria Themelore Publike e Manastirit ka ngritur procedurë kundër një 35-vjeçari nga fshati Orizarja e Poshtme në Manastir, i cili është dyshuar se ka kryer vepër penale Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm sipas nenit 288 paragrafi 1 i Kodit Penal, kumtojnë nga Prokuroria, njofton Portalb.mk.


“Më 2 mars, në orët e mbrëmjes, i dyshuari ka hyrë në kazino në rrugën “Llazo Trposki” në Manastir, është ngjitur në katin e objektit ku ka pasur edhe persona tjerë, ka derdhur benzinë ndaj gjashtë slot-makinerive dhe i ka djegur. Me këtë ka shkaktuar zjarr i cili e ka përfshirë inventarin dhe ka shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve dhe ka shkaktuar dëm ndaj pronës”, thonë nga Prokuroria.

Prej atje shtojnë se me propozim të prokurorit publik, gjykatësi i procedurës paraprake nga Gjykata e manastirit, të dyshuarit i ka caktuar masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 8 ditësh.