Xhaferi: Investimi te të rinjtë, në njohuritë e tyre, është investim në përmirësimin dhe përsosjen e gjithë sistemit në vend

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sonte mori pjesë dhe u drejtua në evenimentin me rastin e ndarjes së bursave për vitin akademik 2023/2024 nga Fondacioni Albiz. Kryeministri Xhaferi ndau mirënjohje për studentët më të mirë të diplomuar të vitit 2023.
Në vazhdim e përcjellim fjalimin integral të Kryeministrit Xhaferi:
„Kam kënaqësinë që sonte marr pjesë në një eveniment që ka rëndësi të madhe për të rinjtë. Dua të përgëzoj Fondacionin Albiz për prirjen e tyre në promovimin e përgjegjësisë sociale të ndërmarrjeve dhe filantropisë përmes organizimit dhe promovimit të programeve me karakter edukativ, kulturor, ekonomik dhe socio-humanitar në shoqëri.
Sigurimi i platformave dhe programeve ekonomike, sociale dhe arsimore është me rëndësi të madhe për forcimin dhe avancimin e shoqërisë sonë dhe hapjen e mundësive të reja për brezat e rinj.


Investimi te të rinjtë, në njohuritë e tyre, është investim në përmirësimin dhe përsosjen e të gjitha dimensioneve në sistemin në Maqedoninë e Veriut. Shteti ka kuadro cilësore dhe përmes programeve të këtilla hapen mundësi për parandalimin e largimit të të rinjve të cilët ardhmërinë e tyre e kërkojnë jashtë kufijve të shtetit tonë. Kjo është një mundësi për të krijuar kushte konkurruese për punë si në vendet evropiane. Dhënia e bursave për të rinjtë për arritjet e tyre më të larta profesionale dhe ndërtimi i kuadrove cilësore dhe konkurruese në të ardhmen, të cilët do të punojnë në shtet dhe do të kontribuojnë për zhvillimin dhe prosperitetin e tij ekonomik është me rëndësi të jashtëzakonshme.

Projektet e këtilla janë mbështetje edhe për ne si Qeveri për afrimin e arsimit vendor me arsimin evropian. Viteve të fundit zotoheshim që cilësia e arsimit vendor të arrijë standardet e dëshiruara, dhe besoj se do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhme, me një reformë të hollësishme. Miqtë tanë nga institucionet dhe programet ndërkombëtare na mbështesin në bërjen e ndryshimeve të reja të programeve arsimore në faza, dhe gjithashtu në investimin në infrastrukturë. Partneri jonë janë edhe organizatat civile, fondacionet dhe shoqatat aktive, gjë që vërtetohet edhe me këtë eveniment të bukur sonte.

Kjo është një mundësi që së bashku të afrojmë arsimin me vlerat evropiane, si edhe një hallkë me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë e suksesshme evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut“.