Taravari me propozim: Zgjedhja e presidentit të bëhet nga Kuvendi

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dhe kandidat për president të shtetit nga koalicioni opozitar shqiptar – VLEN, ka pasur paraqitje para mediave ku ka shpalosur tri pikat e programit të tij për president.


Ai kërkon që pakicat të futen në Kushtetutë, të hiqet 20% dhe presidenti të zgjidhet në Kuvend, dhe jo siç ka ndodhur deri tani, në zgjedhje me vota nga qytetarët.

“Një – synojmë që për herë të parë kandidati shqiptar të shkojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe dy – të hapim debatin e madh rreth postit të presidentit. Siç dihet, Maqedonia e Veriut është Republikë parlamentare dhe jo Republikë presidenciale apo gjysmë presidenciale. Veç kësaj, sistemi ynë është i ndërtuar nga një marrëveshje konsensuale midis dy kombeve apo etnive më të madhe këtu në Maqedoni dhe kjo është e sanksionuar me Marrëveshjen e Ohrit në Kushtetutë. Andaj platforma ime do të ndërtohet pikërisht rreth ndërtimit të marrëveshjes konsensuale. Në linjen e mendimit të Arben Xhaferit, unë dhe partnerët e koalicionit synojmë që në hapjen e ardhshme të Kushtetutës të përfshihen tri elemente:
– futjen e pakicës bullgare dhe pakicave tjera në Kushtetutë.
– heqjen e 20% që definon gjuhën shqipe dhe
– zgjedhjen e presidentit ta bëjë Kuvendi dhe jo përmes zgjedhjeve”, tha mes tjerash Taravari.