Seancë konstituive e Këshillit Nacionale për Zhvillim

Në Qeveri sot është mbajtur seanca konstituive e Këshillit Nacional për Zhvillim, si pjesë e strukturës drejtuese për Strategjinë Nacionale Zhvillimore, e cila përfshin aspekte ekonomike, sociale, ekologjike dhe kulturore të zhvillimit të shtetit tonë në dy dekadat e ardhshme.


Në kuadër të strategjisë janë përcaktuar gjashtë fusha strategjike me qëllime dhe prioritete strategjike për secilën prej tyre.

“Strategjia Nacionale e Zhvillimit e pasqyron gjithë përfshirjen e shtetit tonë. Ky proces përgatitej për gati tre vite, ku morën pjesë rreth 14.000 qytetarë, mbi 250 përfaqësues nga institucionet nacionale, 70 kryetarë komunash, 50 deputetë nga pushteti dhe opozita, përfaqësues të odave ekonomike, organizatave të shoqërisë civile, mbi 500 përfaqësues të grupeve të margjinalizuara dhe të cenueshme, si dhe më shumë se 1000 të rinj dhe anëtarë të organizatave rinore”, ka thënë në seancë kryeministri teknik Talat Xhaferi.

Ai ka theksuar se me Strategjinë Nacionale të Zhvillimit hapen mundësitë, por edhe krijohen kapacitete për qëndrueshmërinë e shoqërisë në menaxhimin e pasigurisë dhe rreziqeve në rritje në botë, si edhe për t’u përballur me trendët globalë, siç janë ndryshimet klimatike dhe transformimi digjital.

“Strategjia nënkupton një konsensus shoqëror për atë se cilat janë interesat tona shtetërore dhe si do t’i arrijmë të njëjtat. Të gjitha këto zotime janë në përputhje me aspiratat e Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por gjithashtu fuqishëm e demonstrojnë përkushtimin drejt arritjes së Objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Dokumenti strategjik do të na japë qartësinë dhe vizionin e nevojshëm për qëllimet zhvillimore të shoqërisë sonë. Tani të gjithë duhet të bëjmë përpjekje dhe të kontribuojmë, së bashku, për të ardhmen e vendit tonë”, ka theksuar Xhaferi.

Përgatitja e Strategjisë nacionale për zhvillim ka filluar në janar të vitit 2021, me iniciativë të zëvendëskryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të ngarkuar për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi dhe me çjesëmarjen e Ministrisë së Financave. Zbatohet me asistencën eksperte dhe teknike të UNDP-së, në koordinim me Zyrën e Koordinatorit të përhershëm të Kombeve të Bashkuara, Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar dhe Ambasadën e Republikës së Sllovakisë.

Nga Qeveria në kumtesë informojnë se pas zbatimit të një procesi intensiv konsultativ, u miratua Ligji për Strategjinë nacionale të zhvillimit nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut më 6 shkurt të këtij viti, me mbështetjen e deputetëve të pushtetit dhe opozitës nga pothuajse të gjitha partitë politike të përfaqësuara në dhomën ligjvënëse. Vendimi për themelimin e Këshillit Nacional për Zhvillim, si pjesë e strukturës drejtuese për Strategjinë Nacionale të Zhvillimit është miratuar në seancën e Qeverisë më 13 shkurt, ndërsa më 20 shkurt edhe Vendimi për emërimin e anëtarëve të Këshillit Nacional për Zhvillim.