Nesër shorti në Ligën e Konferencës, këto janë skuadrat që u kualifikuan për në 1/8 e finales

Tashmë janë mësuar emrat e 16 skuadrave të kualifikuara për në 1/8 e finales në Ligën e Konferencës.


Tetë skuadra kishin siguruar këtë fazë pasi u renditen të parat në grupet e tyre, kurse tetë të tjera u mësuan pas mbylljes së fazës së “play-offit”.

Sonte u kualifikuan Ajax, Dinamo Zagreb, Servette, Royale Union SG, Olympiacos, Molde dhe Sturm Graz, si dhe Maccabi Haifa, që siguroi kualifikimin të mërkurën mbrëma.

Kurse, direkt në 1/8 e finales si fitues të grupit ishin kualifikuar Aston Villa, Lille, Club Brugge, Fenerbahçe, Fiorentina, Maccabi Tel-Aviv, PAOK dhe Viktoria Plzen.

Tërheqja e shortit për 1/8 e finales në Ligën e Konferencës do të bëhet nesër (e premte), në Nyon të Zvicrës, nga ora 13:00.

Siç dihet, skuadrat nga i njëjti shtet nuk do të mund të takohen mes vete në këtë fazë.

Ndeshjet e para të 1/8 së finales në Ligën e Konferencës do të zhvillohen më 7 mars, ndërsa ato të kthimit një javë më vonë – më 14 mars.

Fituesit e tetë ndeshjeve do të kalojnë në çerekfinale. Shorti i kësaj faze është i paraparë të tërhiqet më 15 mars.