Edhe boshnjakët dalin me kandidatin e tyre për president të Maqedonisë së Veriut

Për herë të parë në histori, boshnjakët do të kenë kandidatin e tyre për president të Maqedonisë.


Bëhet fjalë për Mersiha Smailoviq, e cila do të jetë kandidate e Bashkimit Demokratik Boshnjak.

Mersiha Smailovic është avokate dhe aktiviste civile.

Në angazhimin e saj qytetar është aktive në fushën e avokaturës për të drejtat e njeriut, diskriminimin, barazinë gjinore, të drejtat e grupeve etnike etj.

Punimet e saj kërkimore mbi të drejtat e refugjatëve, islamofobinë, të drejtat e grave janë botuar në disa botime vendore dhe ndërkombëtare.

Ajo ishte e përfshirë në mënyrë aktive në misione të shumta humanitare në nivel global dhe lokal.

Mersiha u diplomua në Universitetin e St. Cyril and Methodius në Fakultetin Juridik, dhe aktualisht është duke ndjekur studimet master në të Drejtën Ndërkombëtare në të njëjtin universitet.

Ajo ishte e përfshirë në disa nisma për ndryshimin e ligjeve dhe rregulloreve në vend.

Ajo është alumne e organizatës amerikane Vital Voices, e cila u themelua nga Hillary Clinton dhe synon të edukojë dhe mbështesë gratë në politikë.

Mersiha ka lindur në Shkup, është e martuar dhe nënë e dy vajzave.

Po ashtu është pronare e kompanisë për shërbime financiare dhe juridike NAHLA CONSULTING, ku aktualisht punon me kohë të plotë.