Bojmacaliev demanton Toshkovskin: S’është e vërtetë se BE-ja do të lejojë të udhëtohet me pasaporta të vjetra

Nuk është e vërtetë se qytetarët do të mund të udhëtojnë pa problem në vendet e Bashkimit Europian, thotë për TV21 zëvendësministri shtesë Mitko Bojmacaliev, i cili theksoi se secili vend do të vendosë në mënyrë të pavarur se si do të veprojë. Kjo deklaratë vjen pasi ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se është pranuar një letër nga Komiteti për dokumente udhëtimi pranë Bashkimit Europian, ku thuhet se vendet-anëtare të BE-së do ta kenë mirëkuptim dhe nuk do të bëjnë problem që qytetarët tanë të udhëtojnë me pasaporta të pandryshuara. Në letrën në fjalë, nuk shkruan në mënyrë të përpiktë nëse ata mund ose nuk mund të udhëtojnë, thotë Bojmacaliev.


“Aty thuhet se duhet gjetur një zgjidhje dhe për momentin të gjitha vendet-anëtare vendosin në mënyrë të pavarur. Ka një pyetje për ne – edhe sa kohë na duhet për të ndryshuar dokumentet e udhëtimit dhe sa kanë mbetur. Askund Bashkimi Europian nuk thotë në mënyrë të përpiktë se qytetarët mund të udhëtojnë. Domethënë, për momentin ai nuk ka një vendim të prerë nëse mundet ose jo. Lihet që të gjitha vendet-anëtare të marrin vendimin e tyre, sepse Republika e Greqisë i ka njoftuar, e Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ka njoftuar askënd se dokumentet e udhëtimit nuk janë të vlefshme.”- tha Mitko Bojmacaliev, zëvendësministër shtesë i punëve të brendshme.

E pikërisht kjo është theksuar në shkresën e Komitetit për dokumentet udhëtimi të BE-së.

“Në Komitetin për dokumentet e udhëtimit, që është trup konsultativ – një grup pune ekspertësh, ku është sqaruar se pasaportat janë nën kompetencat e vendeve-anëtare dhe në nivel të BE-së, vendoset vetëm për karakteristikat e sigurisë për shkak të Shengenit.”- thanë nga BE-ja për MPB.

Por, ministri teknik Toshkovski pohon se qytetarët mund të udhëtojnë me pasaportë të pandryshuar.

“Qytetarët tanë që janë jashtë Maqedonisë, ja do të jap një informacion, 70 mijë qytetarë të Maqedonisë ka në Gjermani e që kanë dokument udhëtimi me emrin e vjetër. Miqtë tanë nga Gjermania i kanë këto të dhëna, por ne nuk i kemi. Dhe tani ata 70 mijë qytetarë do të mund të shkojnë pa problem në Çeki, pjesë e Bashkimit Europian, do të mund të shkojnë në Hungari pa problem, do të mund të shkojnë në Bullgari pa problem, pa problem do të mund të shkojnë në Shqipëri, në Kosovë, por nuk mund të vijnë në Maqedoni.”- tha Pançe Toshkovski, Ministër Teknik i Punëve të Brendshme

Këto ditë, ministri teknik Toshkovski paralajmëroi se do të hapet edhe hetim lidhur me atë pse është ndryshuar porosia fillestare prej 400 mijë ekzemplarësh dhe janë porositur vetëm 20 mijë. Lidhur me këtë, Bojmacalievi thotë se nuk bëhet fjalë për asnjë lloj sabotimi, siç prezantohet në opinionin publik dhe se numri i përgjithshëm i ekzemplarëve dorëzohet në disa faza.
“Hetimin e ka kërkuar ministri i ri teknik, Pançe Toshkovski. Vetëm mund të konfirmoj se nuk bëhet fjalë për ndonjë sabotim në MPB dhe do të jap shembuj konkretë pse nuk është kështu. Në ditën e pranim-dorëzimit, në Ministrinë e Brendshme ka 50 mijë pasaporta. Javën e kaluar mbërrijnë 20 mijë pasaporta, të enjten ose të premten marrim një numër prej mbi 100 mijë pasaportave dhe javën që vjen marrim rreth 120 mijë pasaporta, deri në dërgesën e ardhshme të ekzemplarëve, e cila do të përbëhet nga diku mbi 300.000 ekzemplarë në muajin qershor.”- tha Mitko Bojmacaliev, zëvendësministër shtesë i punëve të brendshme.

Avokati i Popullit, Naser Zyberi thotë se në zyrën e tij vazhdimisht mbërrijnë ankesa për vonesën e dokumenteve personale. Ai paralajmëroi se këto ditë një ekip i tyre do të vizitojë MPB-në për të kontrolluar se si funksionon procesi i lëshimit të dokumenteve personale.