Raphael Varane dhe Casemiro mund të largohen nga Manchester United në afatin kalimtar dimëror, pasi Erik ten Hag duket se nuk llogarit më në shërbimet e tyre.

“Djajtë e Kuq” janë në prag të eliminimit nga Liga e Kampionëve, teksa janë edhe jashtë top-katërshes në Premierligë.

Kësisoj, ndryshime të mëdha mund të ketë te Man United gjatë janarit, me klubin që është i gatshëm të dëgjojë ofertat edhe për lojtarë kryesorë.

“The Independent” raporton se Casemiro dhe Varane janë në listën e mundshme të largimit të trajnerit Ten Hag.
Dy vitet e gjysmë të Varane në “Old Trafford” janë përshkruar nga lëndimet, por qendërmbrojtësi francez është lënë jashtë formacionit të titullarëve në javët e fundit, pavarësisht se është kthyer në gjendje të plotë.

Casemiro aktualisht është jashtë fushës, por braziliani ka parë rënien e formës së tij, pas një sezoni të parë të shkëlqyer me gjigantin anglez.

Me të dy lojtarët mbi 30 vjeç, Ten Hag e di se vlera e tyre në Evropë është e ulët, por opsioni për një transferim në Arabinë Saudite është një alternativë.

Të dy lojtarët thuhet se janë të frustruar me pozicionet e tyre përkatëse në Manchester dhe kalimi në Lindjen e Mesme do të ishte një hap të fundit në karrierë për ish-dyshen e Real Madridit.