Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti u dekorua sot me titullin Qytetar Nderi i Tropojës.

Manifestimi kryesor u mbajt në qytetin e Bajram Currit, shoqëruar me një program të pasur kulturor dhe artistik.

Ali Ahmeti përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook ka falënderuar të gjithë ideatorët për akordimin e këtij titull, teksa shton se nuk ka arritje më të madhe se sa realizimi i misionit kombtar që shqiptarët të jetojnë të lirë në trojet e tyre, me gjuhën dhe flamurin e tyre.

Statusi i plotë:

I nderuar të isha sot në mesin e bashkëatdhetarëve të mi të Tropojës, përjetë mirënjohës për mikëpritjen e tyre dhe nderin e madh që më bënë duke më dhënë titullin “Qytetar Nderi”.
Kur fillova veprimtarinë time kombëtare, bashkë me shokë në mendje e zemër na udhëhiqte vetëm një mendim, të shohim shqiptarët të lirë, të jetojmë me dinjitet në trojet tona dhe të trasojmë bashkë rrugën e përparimit me ato vlera të shenjta kombëtare, me gjuhën e flamurin tonë të lashtë.
Sot nuk mund të ketë shpërblim më të madh për mua se konkretizimi i këtij ideali kudo ku frymohet shqip, kauzë për të cilën kontribut të jashtëzakonshëm kanë dhënë edhe tropojanët.
Misionet tona kombëtare nuk kanë mbaruar, para nesh shtrohet përgjegjësia e ruajtjes së asaj që e fituam me gjak dhe rruga e përparimit që ka një horizont, atë të Bashkimit Europian.
Bashkë do t’ia dalim ashtu siç ia dolëm në fushëbetejat e lirisë!
Unë në Bajram Curri do të kthehem bashkë me Tahir Sinanin e derdhur në bronzë.