Barcelona do të humbasë një nga lojtarët kryesorë për dy muajt e ardhshëm, pasi është marrë vendimi që Marc-Andre ter Stegen t’i nënshtrohet një operacioni në shpinë.

Reprezentuesi gjerman ka përjetuar dhimbje në atë zonë gjatë javëve të fundit dhe ka munguar në pesë ndeshjet e fundit, duke përfshirë ndeshjet me ekipin kombëtar dhe Barcelonën.

Kishte dyshime nëse Ter Stegen mund të ndiqte një trajtim dhe të pushonte deri në vitin e ri, por duket se do të ndodhë e kundërta.
“Sport” ka raportuar se 31-vjeçari ka pranuar që t’i nënshtrohet operacionit.

Kësisoj, parashikohet që mungesa e tij do ta mbajë jashtë fushës për rreth dy muaj, gjë që do ta bënte atë në dyshim edhe për ndeshjen e parë të raundit të eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve.

Në vend të tij, Barcelona duhet të mbështetet te 24-vjeçari, Inaki Pena, i cili këtë sezon ka regjistruar dy paraqitje në La Liga dhe një në Ligën e Kampionëve.

Gjithsesi, vlen të përmendet se ai ka impresionuar me paraqitjet ndaj Portos dhe Atletico Madridit.

Duket se “Blaugranët” do të ruajnë besimin e plotë te Pena, i cili e ka shfrytëzuar me durim shansin e tij. Megjithatë, humbja e Ter Stegenit si lojtar vendimtar dhe lider është një goditje e rëndë për klubin.