Vazhdon gara dhe grindja mes partive politike shqiptare për atë se kujt i takon vendi i lirë për anëtar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Këto paqartësi lindën që kur Aleanca për Shqiptarët vendosi t’i bashkangjitet pushtetit, e anëtari i tyre i atëhershëm në KSHZ Krenar Lloga, tanimë është ministër. Kreu i ASH-së Arben Taravari, thotë se ky vend edhe më tej i takon Aleancës, përshkak se Izet Mexhiti ka përfaqësuesin e BDI-së, Besa të LSDM, e Alternativën duhet ta përfaqësojë Aleanca.

“Anëtari i KSHZ-së i takon Aleancës për Shqiptarët pasi që për anëtarin në KSHZ vendosin qytetarët në zgjedhjet parlamentare. Ai vend i ka takuar ASH, opozita e kuptoj se ka kërkesë por Izet Mexhiti ka dalë me BDI-në dhe BDI-ja ka përfaqësues në KSHZ. BESA ka qenë në koalicionim me LSDM-në dhe LSDM-ja ka anëtar në KSHZ dhe Alternativa ka qenë së bashku me Aleancën dhe përfaqësuesi i Aleancës është përfaqësues i këtij koalicioni të KSHZ-së.”- deklaroi Arben Taravari – Kryetar i ASH.

Por sipas Izet Mexhitit nga Lëvizja Demokratike, këto deklarata nuk kanë bazë. Mexhiti shprehet se vet fakti që Aleanca tani është në Qeveri dhe Krenar Lloga është ministër, do të thotë se ai vend duhet t’i takojë opozitës. Në të kundërtën, ata dyshojnë se mund të ketë manipulime në zgjedhjet e ardhshme.
”Sa i përket deklaratës së z.Taravari, nuk mbanë përshkak se pozita për momentin ka katër anëtarë, dy i ka VMRO-DPMNE dhe i treti duhet të jetë i opozitës shqiptare. Opinioni ta ketë më të qartë, aty më herët ka qenë anëtar z.Lloga, Krenar Lloga i cili tanimë është ministër i drejtësisë dhe kjo flet mjaftë qartë se tani janë në qeveri, është ministër i drejtësisë dhe pretendojnë përsëri anëtarin ta kenë pozita shqiptare.”- tha Izet Mexhiti – LEN.
Por kujt në realitet i takon vendi i lirë në KSHZ? Sipas ish kryetarit të KSHZ-së, Aleksandar Novakovski, këtë çështje duhet ta regullojë Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime, por më e rëndësishmja është se duhet të ketë harmonizim për fair-play mes partive politike. Sa i përket situatës aktuale, sipas Novakovskit, vendi i zbrazur duhet t’i takojë opozitës aktuale.

“Duke patur parasysh se kryetari është i propozuar nga VMRO, një anëtar është propozuar nga VMRO dhe ata kanë mandat 5 vite, i treti duhet t’i takojë opozitës shqiptare. Por në fund marrëveshja, fair-play është më e rëndësishme që të dakordohen se cilat parti mund të propozojnë anëtar në KSHZ për momentin për vendin e zbrazur. Përshkak se kaluan në pozitë, ky vend tani i takon opozitës. Opozitës aktuale i takon vendi, këtu nuk ka fare dilema.”- tha Aleksandar Novakovski – Ish kryetar i KSHZ.

Përndryshe më 16 nëntor u mbyll konkursi për këtë pozitë në KSHZ. Siç mëson Televizioni 21, në këtë konkurs kanë aplikuar gjithsej pesë kandidatë, mes të cilëve Qufli Osmani nga ASH dhe Abdush Demiri nga Lëvizja Besa për të cilin edhe kanë njoftuar publikisht opozita shqiptare. Opozita dyshon se kreu i Kuvendit Talat Xhaferi por edhe Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime qëllimisht po e zvarritin procedurën e përzgjedhjes së kandidatit, me qëllim që siç thonë, të manipulojnë zgjedhjet.