Bullizmi online është në rritje tek të rinjtë, por ka edhe raportime nga nxënës apo prindër që po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë se për këtë problem nuk duhet të heshtet, shkruan Meta.mk

Një nxënës ka fotografuar një shok klase në dhomat e zhveshjes para orës së edukimit fizik, më pas e ka shpërndarë foton në një grup në viber ku të gjithë talleshin me studenten-viktimë. Një vajzë ka shpërndarë një foto me të dashurin e saj, por pas disa kohësh, ai e ka keqpërdorur dhe e ka ndarë me të gjithë miqtë e tij, me qëllim që të tallet me vajzën. Një nxënëse ka fyer shoqen e klasës në një grup viber, ku ka qenë të gjithë nxënësit e klasës.

Këto janë vetëm disa nga fenomenet e përditshme në shumicën e shkollave të vendit. Bullizmi online është në rritje tek të rinjtë, por ka edhe raportime nga nxënës apo prindër që po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë se për këtë problem nuk duhet të heshtet.

Dhe gjetjet e fundit të studimit të HBSC (Health behaviour in school aged children) treguan se numri i raportimeve është në rritje, që do të thotë se studentët e njohin bullizmin dhe e raportojnë atë. Hulumtimi i HBSC te fëmijët e moshës 11, 13 dhe 15 vjeç në shkollë përfshin pyetje rreth ngacmimit dhe bulizmit në internet. Ky lloj hulumtimi në botë zbatohet për 40 vjet, kurse në Maqedoninë e Veriut çdo katër vjet. Mbi 50 shtete në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Kanada po marrin pjesë. Në RMV, për herë të fundit është realizuar vitin e kaluar, në një mostër prej mbi 5000 nxënësish, në gjuhën shqipe dhe maqedone.

Në lidhje me këtë studim, Meta.mk ka biseduar me Ana Poprizova, psikologe shumëvjeçare në shkollën e mesme “Orce Nikolov” në Shkup.

“Lidhur me bullizmin kibernetik, tek fëmijët e moshës 11 vjeç, 17% e djemve dhe 13% e vajzave thanë se raportojnë dhunë. Ata thanë se kanë qenë viktima të dhunës kibernetike një ose më shumë herë në dy muajt e fundit. Nga 13-vjeçarët, 12% e djemve dhe 16% e vajzave thanë se ishin viktima të dhunës në internet, dhe nga 15-vjeçarët, 14% e djemve dhe 15% e vajzave thanë se ishin viktima. Këtë vit kemi një trend në rritje të bullizmit kibernetik të raportuar krahasuar me vitin 2018. Prandaj është ideja që të inkurajohen të rinjtë të raportojnë”, thotë Poprizova.

Merrni pamjet e ekranit për dëshmi

Ngacmimi online ndodh më së shumti në rrjetet sociale. Poprizova thotë se edhe pse ky lloj bullizmi mund të mos ndodhë në shkollë, megjithatë ai është i lidhur me shkollën dhe për këtë, sipas saj, është e nevojshme të përforcohet rregullorja që ka të bëjë me bullizmin kibernetik.

“Na ka ndodhur që edhe pas raportimit të një rasti të mos reagojë askush, pra të mos e heqin videon që kanë ngarkuar. Duhet përforcuar bashkëpunimi mes shkollës dhe institucioneve përgjegjëse për dhunën kibernetike dhe të përmirësohet rregullimi ligjor në shkolla. Por duhet të punohet edhe për vetëdijesimin e prindërve, nxënësve, mësuesve për këtë temë”, thotë Poprizova.

Gjuha e urrejtjes, fyerjet, videot…

Ajo që ndodh më shpesh në shkolla, është shpërndarja dhe postimi i paligjshëm i regjistrimeve, apo shpërndarja e sharjeve në grup, gjuha e urrejtjes në grupe online.

“Ndodh në shkollat tona. Ka video me përmbajtje fyese, ka gjuhë urrejtjeje dhe fyerje. Shpesh nuk është i dukshëm në Facebook apo rrjete të tjera sociale, por në grupet viber të klasës shpesh përfaqësohet. Ndodh edhe që dikush të përjashtohet nga grupi, që është edhe bullizëm, është izolim social. Ndodh që i bëjnë një foto një studenti dhe më pas e publikojnë pa lejen e tij dhe tallen me të. Është e rëndësishme që kjo të raportohet nga prindërit dhe nxënësit sepse nëse të rriturit e dinë këtë, autorët e dhunës thirren të japin llogari dhe të ndryshojnë sjelljen e tyre në të ardhmen. E rëndësishme është dokumentimi i fenomeneve të tilla, pra që fëmijët të bëjnë ‘screenshot’, që të kemi prova në bazë të të cilave duhet të veprojmë ne nga shërbimet profesionale. Natyrisht, është shumë e rëndësishme të punohet në parandalim, duke filluar nga arsimi fillor se çfarë do të thotë përdorimi i sigurt i rrjeteve sociale dhe teknologjisë”, thotë Poprizova.

Prindërit duhet të flasin me fëmijët e tyre në shtëpi

Psikologia Ana Poprizova thotë se për këtë temë prindërit duhet të flasin edhe në shtëpi me fëmijët e tyre, pra t’i mësojnë se si të ndajnë në mënyrë të sigurt informacionet dhe fotografitë.

“Ndodh që një vajzë i dërgon një foto të dashurit të saj, ndihet e dashuruar dhe ka përshtypjen se do të qëndrojë përgjithmonë me atë djalë dhe ia dërgon foton, duke mos menduar se një ditë ajo foto mund të shpërdoret. Më pas, ndodh që djali e ndan dhe tallet me vajzën. Nëse ndodh një rast i tillë, thirren prindërit, punojmë me klasën, me viktimën, me autorët e dhunës dhe inkurajojmë shokët e klasës që të reagojnë dhe të raportojnë nëse vërejnë se po ndodh dhunë kibernetike”, shton Poprizova.

Psikologia thotë se tendenca moderne është të shkohet drejt një sistemi mbështetës si për fëmijën viktimë ashtu edhe për dhunuesin, me përfshirjen e aktiviteteve parandaluese në nivel shkollor.

“Duhet punë e përbashkët e të gjithëve të përfshirë në sistemin arsimor me nxënësit, prindërit dhe institucionet përkatëse. Besojmë se me miratimin e Ligjit të ri për Arsimin e Mesëm do të ndryshohet legjislacioni në aspektin e modeleve të përgjegjësisë, ndëshkimit dhe këshillimit për ata që keqtrajtojnë shokët e klasës apo mësimdhënësit”, thotë Poprizova.

Ndryshe, bullizmi është një formë e sjelljes agresive në të cilën dikush qëllimisht dhe në mënyrë të përsëritur shkakton lëndime të një personi ose shqetësim. Panacea në maj të këtij viti bëri të ditur disa nga shenjat që tregojnë se një fëmijë mund të jetë viktimë e bullizmit.