Izraeli pret luftime të vështira në fazën e re të luftës së tij në Gazë, por është i hapur për “këshilla konstruktive” për reduktimin e dëmeve ndaj civilëve, për aq kohë sa sugjerimet janë në përputhje me objektivin e tij për shkatërrimin e grupit radikal palestinez, Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – ka thënë një zëdhënës i qeverisë izraelite, të martën.

“Ne po vazhdojmë me fazën e dytë tani. Një fazë e dytë që do të jetë e vështirë ushtarakisht”, u ka thënë gazetarëve zëdhënësi Eylon Levy, raporton Reuters.

Forcat izraelite kanë nisur të veprojnë në zonën jugore të Rripit të Gazës, ku popullsia është rritur për rreth 1 milion refugjatë nga zonat veriore, ndërsa Izraeli është përballur me trysni të madhe ndërkombëtare, përfshirë nga Uashingtoni, për të kufizuar viktimat civile.

“Ne, sigurisht, do t’i përmendim këshillat konstruktive që do t’i marrim, këshillat serioze për strategji ushtarake për mënyrën e shënjimit të Hamasit, duke minimizuar dëmet ndaj civilëve”, ka thënë Levy.

Por, ai ka shtuar se këshillat duhet të jenë në përputhje me objektivin e Izraelit për shkatërrimin e grupit ekstremist palestinez.

“Ne do të vazhdojmë fushatën tonë për shkatërrimin e Hamasit… Shtetet e Bashkuara janë të pajtimit të plotë me ne sa i përket objektivave strategjike të kësaj lufte, dhe se kjo luftë nuk mund të përfundojë me një Hamas ende aktiv”, ka thënë ai.

Levy ka shtuar se Izraeli po bën shumë përpjekje për të reduktuar dëmet ndaj civilëve. “Ne nuk e kemi zgjedhur fushëbetejën, Hamasi e ka zgjedhur atë”, është shprehur ai.

Hamasi ka nxitur luftë me Izraelin duke kryer sulme vdekjeprurëse në jug të Izraelit, më 7 tetor, gjatë së cilave luftëtarët e grupit palestinez vranë afër 1.200 persona dhe morën peng 240 të tjerë.

Që atëherë, nga sulmet izraelite në Gazë janë vrarë mbi 15.000 palestinezë – pothuajse dy e treta e viktimave janë gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi.

Mbi tri e katërta e popullsisë së këtij territori janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të bombardimeve dhe sulmeve tokësore të Izraelit, që krijuan një krizë humanitare./REL