Edhe një tjetër person është arrestuar për rastin e vrasjes së 14-vjeçares Vanja. Bëhet fjalë për një 46-vjeçar nga Shkupi, i cili dyshohet se e ka ndihmuar Ljupço Palevskin-Palço të arratiset nga vendi. Sipas informacioneve, ai e ka ndihmuar Palçon që të largohet nga vendi dhe të kalojë kufirin për në Bullgari.

“Prokuroria Themelore Publike Shkup, në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit 48 orësh ndaj 46 vjeçarit nga Shkupi, nën dyshimin se ka kryer vepër penale nga neni 365 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Dyshimi i bazuar se i arrestuari e ka kryer veprën, rrjedh nga provat e siguruara deri më tani nga Byroja për Siguri Publike, Sektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, të dorëzuara në SPB Shkup, ku thuhet se një person i dyshuar për kryerjen e veprës penale, për të cilën tashmë është lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar, më 02.12.2023 është regjistruar në pikat kufitare në Republikën e Bullgarisë, me hyrje në Republikën e Bullgarisë në GP Kalotina dhe dalje nga Republika e Bullgarisë në GP Kapitan Andreevo (në drejtim të Republikës të Turqisë).

Të dy regjistrimet janë të një automjeti Land Rover, i drejtuar nga i dyshuari. Personi është privuar nga liria dhe punonjësit e policisë nga Departamenti për Bashkëpunim Ndërkombëtar kanë zhvilluar një intervistë informative me të”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Në rastin konkret ekzistojnë rrethana që justifikojnë frikën nga rreziku i arratisjes, si dhe rrethana të veçanta që justifikojnë frikën se ai do të përsërisë krimin, duke pasur parasysh rrethanat e llojit dhe karakterit të krimit, dënimin me kusht dhe pasojat e saj.