Aston Villa po vazhdon të jetë “arrë e fortë” për kundërshtarë, veçanërisht në ndeshjet si vendas.

Pasi mposhti Manchester Cityn në mesjavë, skuadra e drejtuar nga Unai Emery fitoi sonte ndaj Arsenalit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të në Premierligë.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Villa-Park” përfundoi me rezultatin 1:0.
Vendasit arkëtuan pikët e plota me një gol të hershëm të shënuar nga John McGinn (7’).

Kjo përballje ishte tejet e fortë dhe interesante, me të dy skuadrat që regjistruan disa raste të mira shënimi.

Vlen të theksohet se “Topçinjtë” ia dolën të shënonin një herë përmes Bukayo Sakas, që u anulua për pozitë jashtë loje, dhe një herë përmes Eddie Nketiah, që u anulua për prekje me dorë.

Arsenali tani ka humbur pozitën e liderit dhe renditet i dyti me 36 pikë, një më pak se Liverpooli.

Aston Villa është e treta me 35 pikë.