Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, deklaroi se Izraeli po pushton sistematikisht tokat palestineze dhe theksoi se ajo që Izraeli do të bëjë në Gaza pasi të përfundojë kjo spirale dhune është e papranueshme, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e tij për televizionin shtetëror RTVE, Sanchez theksoi se, si qeveri spanjolle, ata dënuan dhe kundërshtuan sulmet e Hamasit më 7 tetor që në momentin e parë.

“Ne gjithmonë kemi thënë se Hamasi duhet të lirojë pengjet pa kushte dhe menjëherë. Por në të njëjtën mënyrë, ne duhet t’i themi Izraelit se veprimet e tij duhet të bazohen në të drejtat e njeriut”, ka theksuar Sanchez.

Duke iu referuar sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës, Sanchez tha: “Imazhet që shohim, dhe veçanërisht vdekjet e vajzave dhe djemve, sinqerisht më lënë në dyshim për përmbushjen e të drejtave ndërkombëtare të njeriut nga Izraeli”.

Ai tha se një zgjidhje politike është e detyrueshme për t’i dhënë fund krizës mes Izraelit dhe Palestinës dhe kjo sipas tij kërkon njohjen e shtetit palestinez.

“Më shumë se 140 vende në botë e kanë njohur aktualisht shtetin e Palestinës. Vendet që nuk e njohin këtë janë vendet e quajtura Perëndim në thonjëza, SHBA-ja dhe disa vende të BE-së. Sepse janë 7-8 vende që e kanë njohur shtetin palestinez para se të bëhen anëtare të BE-së. Po ashtu edhe Suedia, e cila ishte anëtare e BE-së dhe e njohu atë në mënyrë të njëanshme shumë kohë më parë. Por tani besoj se situata ka ndryshuar. Sepse kur flasim me vendet arabe, ata na thonë: ‘Ne nuk marrim pjesë në një konferencë paqeje që të flasim për çështjet për të cilat u ra dakord dhe më pas nuk u përmbushën’. Duhet të ndërmerren hapa konkretë, thonë ata. Ky hap konkret është njohja e shtetit palestinez nga Perëndimi dhe Evropa”, tha Sanchez.

Duke thënë se pajtohet me reagimet e vendeve arabe, Sanchez tha: “Ne pamë që Izraeli pushtoi sistematikisht tokat palestineze, Bregun Perëndimor. Tani ne shohim se çfarë po ndodh në Gaza. Për ne ka që thonë se: ‘Spanja është qeveria më pro-palestineze’. Unë mendoj se kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi një qeveri pro-evropiane dhe ne besojmë se kjo (të qenit pro-Palestinë) është një çështje evropiane. Së pari, ne duhet ta bëjmë këtë nga një këndvështrim moral. Sepse ajo që shohim është e papranueshme. Për më tepër, ajo që Izraeli do të bëjë në Gaza pasi të përfundojë kjo spirale dhune është e papranueshme. Së dyti, kjo çështje është në interesin gjeopolitik të Evropës. Stabiliteti i rajonit është i rëndësishëm. Nëse konfliktet përhapen në Liban, Jordani dhe Egjipt, Mesdheu, i cili është shumë i rëndësishëm për ne, do të jetë gjithashtu në rrezik”.

Kryeministri spanjoll tha se Evropa nuk duhet të lejojë hapjen e dy zonave të konfliktit në Ukrainë në veri dhe në Lindjen e Mesme në jug dhe se duhet të përdorë mjete diplomatike për ta parandaluar një gjë të tillë dhe se qeveria e tij po përpiqet ta bëjë këtë.