Bashkëpunimi në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) duhet të forcohet më tej edhe pse Rusia ka vendosur pengesa të mëdha në rrugën e punës së OSBE-së gjatë një viti e gjysmë të fundit, tha ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Analena Berbok në fjalimin e saj në Takimin e 30-të Ministror të OSBE-së në Shkup.

Berbok tha gjithashtu se ata nuk do të lejojnë që loja e Rusisë të shkatërrojë organizatat që mbështeten në bashkëjetesën dhe bashkëpunimin paqësor.

“Si asnjë organizatë tjetër, OSBE-ja qëndron për sigurinë e më shumë se 1.3 miliardë njerëzve, që do të thotë se ata duan të jetojnë së bashku në paqe dhe siguri dhe zhvillim të mirë ekonomik”, theksoi Berbok.

Fakti që Rusia nuk arriti të shkatërrojë OSBE-në “është një kontribut i rëndësishëm për rendin tonë të paqes”, tha shefja e diplomacisë gjermane, duke theksuar se “ky rend paqeje duhet të vazhdojë”.