Përfitime konkrete për qytetarët edhe gjatë negociatave me BE-në përmes konceptit “Më shumë integrim para anëtarësimit”

Në kuadër të pjesëmarrjes në takimin ministror të Procesit të Berlinit, i cili po mbahet sot në Tiranë, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani mori pjesë në takimin e përbashkët me kolegët nga shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerin Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi.

Ministri Osmani rikujtoi se Maqedonia e Veriut këtë vit e ka iniciuar konceptin “Më shumë integrim para anëtarësimit”, me të cilin koncept propozohet përfshirje më e madhe politike dhe institucionale në proceset dhe politikat e Bashkimit Evropian, si dhe rritje të financimit për vendet kandidate, e me këtë edhe më shumë përfitime konkrete për qytetarët edhe gjatë procesit të negociatave me BE-në.

Osmani edhe një herë përshëndeti sinjalet pozitive nga BE-ja, duke cituar fjalët e Kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michel nga Bled, ku viti 2030 u caktua si kornizë kohore për hyrjen e vendeve të reja anëtare.

“Kjo jep një shpresë të re. Koha është që BE-ja të veprojë tani dhe ta bëjë këtë pa hezitim. Në ndërkohë, vendet kandidate duhet të integrohen sa më shumë në proceset dhe politikat e BE-së që të jenë sa më të gatshme për anëtarësim deri në vitin 2030. Për shembull, ministrat e punëve të jashtme nga vendet e rajonit, të cilat kanë 100% harmonizim me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duhet të ftohen të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit të Punëve të Jashtme së bashku me ministrat nga vendet anëtare të BE-së”, theksoi Osmani.

Osmani përshëndeti publikimin e Planit të ri për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor nga Komisioni Evropian, duke thënë se përdorimi i më shumë fondeve të BE-së, i kushtëzuar nga performanca e reformave të vendeve, do të shërbejë si motivues për reforma dhe do të ndihmojë në mbylljen e hendekut në afrimin me BE-në, si dhe që të përgatitemi më mirë për anëtarësim. “Por, parimi i meritës duhet të mbetet një imperativ absolut – kur vendet tona të realizojnë, BE-ja duhet të japë. Ky është motivuesi i fundit dhe shpresojmë se BE-ja do të mund të marrë vendime të rëndësishme për rajonin këtë dhjetor”, tha Osmani.

Osmani theksoi se një Evropë e bashkuar dhe prosperuese në paqe mund të arrihet vetëm me Ballkan Perëndimor të bashkuar dhe të prosperuar në paqe.