Deputeti Skender Rexhepi Zejd thotë se ai dhe bashkëpuntorët e tij ende nuk kanë vendosur nëse do ti bashkohen apo jo ndonjë grupimi politik. Ai në një prononcim për “Frontline” thotë se vendimin nëse do të bashkohet ose jo me ndonjë grupim politik do ta marrë se bashku me bashkëpunëtorët e tij dhe qytetarët, përcjell Indeks.mk


“Është natyrshmëri demokratike bashkëpunimi i subjekteve të ndryshme politike. Janë të shumtë faktorët që e bëjnë një bashkëpunim politik të suksesshëm, siç janë synimet apo qëllimet politike, shtrirja strukturore dhe gatishmëria për kompromise eventuale. Duke i njohur disa në këtë bllok, kam rezerva për suksesin e tyre, pasiqë në këtë bllok veçse tash ka njerëz që për interesa të ngushta klanore janë në gjendje ti flijojnë ato të përbashkëtat. Andaj detektimi dhe izolimi i tyre i shpejtë do të ishte parakusht për suksesin e bllokut opozitar. Sa i përket qëndrimit tim, jemi akoma në takime me qytetarë nga vende të ndryshme dhe shpejt planifikojmë ti rrumbullaksojmë këto takime në një të ashtuquajtur “kongres me qytetarët” në të cilin do të sjellim vendimin përfundimtar të rrugëtimit të ardhshëm politik, thotë Rexhepi – duke u përgjigjur për mundësinë nëse do ti bashkohet ose jo të ashtuquajturit “Bllok opozitar” të Izet Mexhitit, Bilall Kasamit dhe Afrim Gashit.