Shkarkimi i drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë në Shkup, zëvendësministrja kundër ministrit

Zëvendësministrja e Shëndetësisë nga radhët e LSDM-së, Dr. Maja Manoleva, nuk pajtohet me vendimin dhe mënyrën e shkarkimit nga detyra të drejtorit aktual të Klinikës së Kardiokirurgjisë, prof.dr. Sashko Jovev.


Manoleva tha për “Kanal5” se të gjitha vendimet duhet të bazohen në fakte dhe argumente, duke thënë se nuk i di arsyet pse ministri Fatmir Mexhiti vendosi për një lëvizje të tillë.

“Nuk jam dakord me vendimin për shkarkimin e tij dhe as me mënyrën se si është shkarkuar. Të gjitha vendimet duhet të bazohen në fakte dhe argumente. Edhe si person edhe si bartës i posteve publike, aq më tepër që nuk i di arsyet e shkarkimit të profesor Jovevit”, thotë doktoreshë Manoleva.

Shkarkimi i doktor Jovevit shkaktoi një ortek reagimesh në publik. Ministri në daljet e tij publike thekson se drejtorin e ka shkarkuar për shkak të keqpërdorimeve të rënda të orarit të punës dhe menaxhimit të klinikës, ndërsa doktor Jovev dhe ekipi i tij ligjor thonë se pas shkarkimit fshihen motive politike dhe revanshizëm.