Bytyqi: Kemi mbështetjen e miqve tanë europianë, të marrim vendim të guximshëm si shtet

Zv.kryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, përmes një videomesazhi përcolli për opinionin përshtypjet e tij nga Samiti i Bashkësisë Politike Evropiane, i cili u mbajt në Kishinjev të Moldavisë, bashkë me pritshmëritë e aktorëve kryesorë politikë në BE, të cilët presin nga Maqedonia e Veriut përgjegjësi maksimale për të marr një vendim shtetëror në periudhën e ardhshme me ndryshimet në Kushtetutë, si një hap i rëndësishëm për prosperitet dhe për të ardhmen evropiane të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Në fjalimin e tij, Bytyqi thotë se sfidat energjetike janë të përbashkëta, të rajonit dhe të Evropës.

“Zgjidhja e tyre kërkon një qasje të përbashkët, planifikim të përbashkët dhe veprime të përbashkëta. Kjo është pikërisht arsyeja përse ne bashkohemi përmes mekanizmave të tillë siç është Komuniteti Politik Evropian – të gjithë së bashku, për të arritur një tranzicion energjetik, për të siguruar zgjerimin e Bashkimit Evropian, për të mbrojtur demokracitë evropiane nga agresionet me të cilat përballen”.

“Prandaj, kisha nderin të marr pjesë së bashku me kryeministrin Kovaçevski në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Komunitetit Politik Evropian, i cili u mbajt në Kishinau të Moldavisë. Përpara 47 liderëve, para forumit më të gjerë evropian, ne përcollëm përvojat dhe masat tona përmes të cilave u përballëm me krizën energjetike dhe që na pozicionuan si qendër rajonale të energjisë së gjelbër, por edhe si lider në diversifikimin dhe transformimin e energjisë”, tha Bytyqi.

Ai shton se të gjithë miqtë evropianë të RMV-së presin që shteti të merr përgjegjësinë maksimale për vendimin shtetëror që duhet të marrim në periudhën e ardhshme me ndryshimet në Kushtetutë.

“Është qëndrim i përbashkët i të gjithë miqve tanë se me këtë do të bëjmë një hap tjetër domethënës për prosperitetin dhe të ardhmen evropiane të të gjithë qytetarëve të shtetit tonë”, tha Bytyqi.