WhatsApp prezanton një funksion interesant gjatë video-thirrjeve

WhatsAppi është një nga aplikacionet më të njohura për të bërë video-thirrje dhe ofron një listë mjaft solide funksionesh, por përdoruesit ende nuk mund ta ndajnë ekranin e pajisjeve të tyre me njerëzit me të cilët po flasin. Megjithatë, edhe kjo do të ndryshojë.

WEBetainfo shkruan se funksioni i ndarjes së ekranit gjatë një video-thirrje së shpejti do të arrijë te përdoruesit dhe do të aktivizohet kur përdoruesi të prekë një ikonë të re në menynë e kontrollit të thirrjeve.

“WhatsAppi do të ketë qasje në të gjitha informacionet që janë të dukshme në ekranin tuaj ose shfaqen në pajisje gjatë regjistrimit ose transmetimit. Kjo përfshin informacione të tilla si fjalëkalimet, detajet e pagesës, fotot, mesazhet dhe audion që transmetohet”, thuhet në njoftim.

Në këtë mënyrë, WhatsAppi kap hapin me Zoom dhe Microsoft Teams, të cilët tashmë kanë funksionin e përmendur.

Ndarja e ekranit është e dobishme në situata të tilla si prezantimet gjatë takimeve të punës, por mund të përdoret për mbështetje teknike si dhe për ndihmë reciproke midis anëtarëve të familjes.