Presidentja Osmani uron presidentin Erdoğan për fitoren në zgjedhjet presidenciale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, për fitoren në zgjedhjet presidenciale, transmeton Anadolu.

“I shprehim urimet tona të përzemërta presidentit Recep Tayyip Erdoğan”, shkroi në Twitter presidentja Osmani.

“Derisa ju vazhdoni ta udhëhiqni Türkiyen drejt sukseseve të reja, unë pres me pa durim të punojmë së bashku për ta rritur bashkëpunimin tonë të shkëlqyer”, shtoi Osmani.

Presidentja kosovare po ashtu shkroi në gjuhën turke: “Le të vazhdojë të forcohet partneriteti mes Kosovës dhe Türkiyes”.

Kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor të Türkiyes (YSK), Ahmet Yener, njoftoi se sipas 75,42 për qind të votave të numëruara në mbarë vendin, Erdoğan kryeson në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me 53,41 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu, ka 46,59 për qind të votave.

Mbi 64,1 milionë qytetarë turq patën mundësinë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, përfshirë mbi 1,92 milion qytetarë të cilët hodhën votën e tyre në qendrat e votimit jashtë vendit.

Gjithsej 191.885 kuti votimi u vendosën në qendrat e votimit në mbarë Türkiyen.

Më 14 maj, asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë 50 për qind të votave në raundin e parë, megjithëse Erdoğan kryesoi me 49,52 për qind.