“E kuptova rastësisht”, vajza që jeton me 3 veshka. Mjekja shpjegon fenomenin e rrallë

Dajana Alija është një eksperte marketingu, e cila ka një histori të veçantë jete. Ajo gjatë një vizite rutinë te mjeku ka zbuluar se nuk ka vetem dy veshka në trup, por dhe një të mbivendosur.

E ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Dajana ka treguar se është të jetosh me një fenomen të rrallë dhe si e pritën prindërit në momentin që ia tha.

“Unë kam një veshkë duplex. Unë e kam marrë vesh para 4 vitesh. Kam qene thjesht duke bërë një eko abdominale rutinë dhe thjesht doktori ma tha shkarazi, që paske një veshkë duplex dhe unë që mbeta e shtanngur. Ai më tha që s’ka problem, është thjesht një veshkë dyshe, nuk të përbën ndonjë problem, thjesht është diçka e rrallë që kanë njerëzit.

Mami mendoi direkt se ishte një gjë shumë e keqe dhe më tha të shkoja te një mjek tjetër. Edhe kemi bërë një eko tjetër dhe u konfirmua që është një veshkë duplex. Mjekja e qetësoi mamin.

Pak kohë më mbrapa zbuloi dhe babi që kishte një veshkë të tillë. Ai ishte shumë i lumtur dhe i emocionuar që do ma thoshte”, u shpreh ajo.

Sakaq, mjekja nefrologe, Marsida Duli shpjegoi si rezulton ky rast dhe sa kujdes duhet pasur për të jetuar gjatë jetës.

“Rasti i vajzës është një rast me veshkë duplex, pra kemi dy veshka. Nuk kemi tre në numër, nuk është tamam mbivendosje. Por në rastin konkret kemi të bëjmë me një veshkë, e cila ka dy sisteme kolektore dhe më pas dy ureterë të ndryshëm. Ky është një deviacion i lindur, i cili në të shumtën e rasteve nuk komplikohet, por do një monitorim të saktë për të vetmin fakt që mund të komplikohet gjatë jetës, që do të thotë çdo deviacion nga norma, patjetër ka dhe pasojat e veta”, tha ajo./abcnews.al