Serwer nuk bindet, thotë se marrëveshja e Ohrit s’është ligjërisht e obligueshme

Marrëveshja Kosovë-Serbi ka hyrë në fuqi me deklaratën e Josep Borell të shtunën rreth mesnatës. Sipas BE-së ajo është ligjërisht obligative. Kështu e shohin edhe Emisari Gabriel Escobar dhe ambasadori Christopher Hill. Profesori amerikan Daniel Serwer e quan dështim të Perëndimit që nuk e binden Vuçiqin ta firmosë dhe as s’i beson asaj që thonë , se marrëveshja është “ligjërisht e obligueshme”.


Refuzimi i Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për ta nënshkruar marrëveshjen në Ohër, nuk e bën atë më pak “të rëndësishme” dhe më pak “historike” në sytë e zyrtarit amerikan të angazhuar për çështjen e dialogut Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar.

“Kjo marrëveshje është një detyrim ligjërisht i obligueshëm për të dyja palët dhe të dyja palët do të gjykohen nga performanca e tyre sipas marrëveshjes”, ka thënë të Escobar të hënën, dy ditë pasi Kosova dhe Serbia u dakorduan për Aneksin e Marrëveshjes Bazë për normalizimin e raporteve.

Profesori amerikan, Daniel Serwer nuk ka shpresë që marrëveshja e arritur në Ohër do të zbatohet. Dhe, as nuk e sheh atë si marrëveshje me detyrime ligjore, edhe pse emisari amerikan këmbëngul se është e tillë.

“As nuk jam i bindur se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme. Do të doja ta dëgjoja këtë dhe arsyen prapa saj nga një jurist i Departamentit të Shtetit”, ka thënë Serëer të martën për Gazetën Express.

Escobar, është pyetur dje nga gazetarët nëse marrëveshja mbetet, siç thotë ai, “ligjërisht e obligueshme”, ndonëse Vuçiq që në ditën e parë pas dakordimit tregoi haptas se nuk do t’i zbatojë ato që ndeshën me “vijat e kuqe” të Serbisë.

“Zëvendëspresidenti Borrell e ka bërë shumë të qartë në deklaratën e tij për shtyp se çfarë kemi është një takim mendimesh, kemi një zotim, dhe tani kemi obligime nga të dyja palët. Dhe të dyja palët do të gjykohen në rrugën e tyre evropiane me plotësimin e atyre për çka janë pajtuar”.

Kryeministri Kurti tani pret nga BE-ja që të gjejë mënyra për ta bërë marrëveshjen e Ohrit ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, meqenëse Vuçiq nuk u bind ta firmosë atë.

“Ne tani kemi arritur një marrëveshje për zbatimin e ankesit të Marrëvëshjes Bazë. Serbia – sikurse në takimin e fundit në Bruksel – e ka evituar nënshkrimin e Marrëveshjes dhe tani edhe të Aneksit. I takon BE-së që ta gjejë një mekanizëm për ta bërë këtë marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme“, ka shkruar Kurti në Tëitter.

Serëer e sheh si dështim të Perëndimit mosbindjen e Presidentit serb për ta nënshkruar dokumentin. “Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara dështuan ta bindin Vuçiqin të nënshkruajë”.

Ndërmjetësi evropian i dialogut, Miroslav Lajcak, e ka parë diskutimin që është bërë në publik rreth vlefshmërisë së një marrëveshjeje të panënshkruar. Edhe si e tillë, ai thotë se është në përputhje me praktiken juridike ndërkombëtare dhe është e detyrueshme.

“Në fund, kemi rënë dakord që ky dokument të formalizohet përmes njoftimit të Përfaqësuesit të Lartë [Josep Borrell] – gjë që ka ndodhur të shtunën. Kjo është plotësisht në përputhje me praktikën juridike ndërkombëtare. Pra, kjo do të thotë se ky dokument është i detyrueshëm, është zyrtar, është formal. Çdo spekulim se është apo jo i vlefshëm dhe i detyrueshëm, është i pakuptimtë”, tha në një intervistë për dy media ndërkombëtare në Serbi.

Kryeministri Kurti ka thënë se duke u arritur marrëveshja për Aneksin e Marrëveshjes Bazë, ka ndodhur edhe “njohja de fakto”. Ndërkaq, Presidenti serb ka thënë se fakti që s’e njeh Kosovën si shtet, është arsyeja pse ai nuk hodhi nënshkrimin.

Profesori amerikan i beson arsyes së dhënë nga Vuçiqi dhe thotë se Presidenti serb “nuk ka dashur ta nënkuptojë njohjen e Kosovës si shtet sovran”.

Liderët e Kosovës dhe Serbisë kishin nënshkruar nga një marrëveshje për “Normalizim Ekonomik” në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator të 2020-s. Aty Vuçiq kishte hedhur nënshkrimin, por jo në faqen e njëjtë me ish-kryeministrin Avdullah Hoti. Megjithatë një ceremoni nënshkrimi, e drejtuar nga ish-Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte ndodhur.

Por, as atë marrëveshje ekonomike, e as këtë që u arrit në Ohër, Profesori Serwer nuk i sheh si të arrirë të madhe për Kosovën dhe për Serbinë.

“Marrëveshja e Ëashingtonit kishte përmbajtje modeste. Marrëveshja e Ohrit është kryesisht procedurale. Nuk e shoh asnjërën si një hap të madh për të ecur përpara, as për Kosovën, as për Serbinë”, ka thënë Serwer.