Putin: Propozimi kinez mund të jetë baza për paqen në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin tha pas bisedimeve me udhëheqësin kinez, Xi Jinping të martën se propozimet kineze mund të përdoren si bazë për një zgjidhje për paqen në Ukrainë, por se Perëndimi dhe Kievi nuk ishin ende gati.


Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar në fund të vizitës shtetërore të Xi në Moskë, të dy liderët paralajmëruan kundër çdo hapi që mund ta shtyjë konfliktin e Ukrainës në një “fazë të pakontrollueshme”, duke shtuar qartë se nuk mund të ketë fitues në një luftë bërthamore, shkruan Reuters.

“Ne besojmë se shumë nga dispozitat e planit të paqes të paraqitura nga Kina janë në përputhje me qasjet ruse dhe mund të merren si bazë për një zgjidhje paqësore kur ata të jenë gati për këtë në Perëndim dhe në Kiev. Megjithatë, deri më tani ne nuk shohin një gatishmëri të tillë nga ana e tyre”, tha Putin.

Propozimit të Kinës – një dokument prej 12 pikash që kërkon një armëpushimin në Ukrainë – i mungojnë detajet se si t’i jepet fund luftës.