Pas kritikave, Erdogan sërish në zonat e tërmetit: Do të rindërtojmë gjithçka

“Do të rindërtojmë gjithçka” është ky premtimi i Presidentit Erdogan gjatë vizitës në zonën e rrënuar të Hatay, i cili ishte rajoni më i goditur nga tërmeti shkatërrues i 6 shkurtit.

Me mijëra qytetarë në 11 provincat po qëndrojnë në tenda apo edhe në akomodime të përkohshme.

Si reagimi i Erdogan ashtu edhe i qeverisë së tij ndaj fatkeqësisë natyrore ka rënë në qendër të vëmendjes, ku kritikët i akuzojnë ata se nuk kanë parapërgatitur vendin i cili është i rrezikuar nga lëkundjet e tokës.

Numri i të vdekurve nga tërmeti tani ka arritur në 48,000 vetëm në Turqi, dhe 6,000 të tjerë në Siri. Hatay pësoi pasgoditje të shumta të cilat i shtuan më tej vuajtjet.

Një konferencë ndërkombëtare e donatorëve do të mbahet në Bruksel më 16 mars për të mbledhur fonde për të ndihmuar në rindërtimin e zonave të prekura.

Banka Botërore vlerëson se tërmeti i 6 shkurtit shkaktoi rreth 35 miliardë dollarë dëme, ndërsa Gazeta Turke e Biznesit vlerësoi se kostoja ishte rreth 45 miliardë dollarë.