Azeski: Zhvillimi rajonal është bazë për zhvillimin e mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Zhvillimi rajonal është bazë për zhvillimin tonë të mëtjeshëm të shtetit dhe ekonomisë, ndërsa Forumi Investues i Odave (FIO) është zëri i sektorit privat të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne po punojmë për përmirësimin e infrastrukturës, zgjidhjen e barrierave që ekzistojnë mes nesh për të përshpejtuar qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve, për të bërë një linjë ajrore të përbashkët që do të na lidhë drejtpërdrejt dhe për të zgjidhur çështjet që lidhen me organet e certifikimit dhe dokumentet që do të përshpejtojnë qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve, tha kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut dhe nënkryetar i FIO-së Branko Azeski.


Në një deklaratë para fillimit të eventeve në kuadër të Platformës së Biznesit BE-Ballkani Perëndimor që mbahen sot në Shkup, Azeski tha se Ballkani për Evropën ka qenë problem për qindra vite dhe ende nuk ka ndryshuar në këtë pjesë.

“Biznesi mund të jetë i vetmi faktor koheziv dhe pikërisht ajo që po bëjmë në FIO mund të kontribuojë dhe të ndihmojë në tejkalimin e problemeve në Ballkan, që nuk do t’i zgjidhin as gjeneratat tona”, tha Azeski.

Sipas tij, në 40 vitet e fundit, rajoni ka pasur një shans, por nuk ka arritur të provojë veten në asnjë fushë.

“Si shtete të veçanta, ne jemi indiferentë ndaj të gjitha proceseve në botë, të cilat shkelen nga ne. Vetëm me punë të palodhur dhe me përforcimin e biznesit mund të arrihet një përparim. Në Ballkan politika është mbi ekonominë, elitat politike krijojnë probleme për të qëndruar në pushtet, jo për të bërë progres ekonomik. Ne si sektor privat mund ta ndryshojmë këtë, por pyetja kryesore qëndron se a mund të ndryshohet kjo pa para dhe me një mbingarkesë taksash të të gjitha llojeve, në vend që ato para të investohen për t’iu afruar standardeve të BE-së”, tha Azeski.

Gjatë gjithë kohës, shtoi ai, po punojmë që të mos vendosen taksa të reja, të cilat, siç tha ai, do të na rrafshojnë njësh me tokën ose deri në themel.

“Ne ofrojmë një koncept në 10 vitet e ardhshme që të bashkohemi të gjithë dhe të lëmë mënjanë politikën, pra bashkëpunimi të jetë vetëm në ekonomi, por me një garë reale. Ne kemi nevojë për një marrëveshje të re kornizë për ekonominë dhe për të shpallur 10 deri në 15 vitet e ardhshme, një periudhë në të cilën të gjithë në Maqedoni dhe të gjithë në Ballkan do të bashkohen për të bërë një hap përpara dhe për t’u mundësuar njerëzve të qëndrojnë këtu. Njerëzit do të ikin, migrimi është një fenomen natyror, por nëse ne ofrojmë kushte më të mira më shpejt, ata do të kthehen përsëri këtu. Nuk mund t’i mbajmë njerëzit me zor, por me standarde dhe besueshmëri dhe sigurim të funksionimit të sistemit shëndetësor dhe arsimor”, tha Azeski.

Kryetari i Forumit Investues të Odës, i cili është edhe kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna ka theksuar se fuqizimi i bashkëpunimit të sektorit të biznesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionit Evropian është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

“Ne jemi këtu për të përgatitur bizneset për tregun e Bashkimit Evropian dhe tregjet globale. Puna jonë është në fakt një urë dhe ndihmë për bizneset duke marrë parasysh digjitalizimin dhe agjendën e gjelbër, për t’i përgatitur ata për sfidat e tyre të ardhshme në Bashkimin Evropian”, tha Rafuna.

Siç theksoi ai, biznesi në Ballkanin Perëndimor përballet me barriera administrative dhe joadministrative.

“Pikërisht për këtë jemi këtu. Ne lobojmë për kërkesat e biznesit, që qeveritë t’i heqin ato barriera. Ne jemi vende të vogla dhe vetëm bashkëpunimi mes nesh do të na ndihmojë të zhvillojmë biznesin”, thekson Rafuna.

Në çdo mënyrë, shtoi ai, ne po përpiqemi t’i heqim barrierat me të cilat përballemi, por disa prej tyre mund t’i zgjidhim, e për disa thjesht nxjerrim përfundime.

“Por ne nuk jemi organ që merr vendime, por organ që lobon dhe përfaqëson interesat e bizneseve me qeveritë”, sqaron Rafuna.