Ageler: Personat që janë në listën e zezë duhet të mbajnë përgjegjësi

Duke folur për listën e zezë, Ambasadroja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Ageler, në televizionin Alsat, ka thënë se institucionet e vendit janë ata që duhet t’i bëjnë personat e korruptuar të mbajnë përgjegjësi.


Ka shtuar se SHBA-të mund të sanksionojnë një individ, por nuk mund t’i burgosin ata.

“Nuk vijmë këtu dhe t’i arrestojmë, ne vetëm u themi atyre se u vendosim sanksionet e caktuara financiare, ose që nuk do të munden më të udhëtojnë në SHBA, ose çfarëdo forme të sanksioneve që marrin. Çfarë është shumë e rëndësishme, dhe këtu do t’i kthehem synimit tim të mëhershëm, është se çfarë ndodh këtu, çfarë ndodh në këtë vend. Sanksionet tona nuk ndryshojnë procedurat ligjore ose zbatimin e ligjeve në këtë vend. Kështu që, SHBA-të mund të thonë, ja ku i keni dy emra të njerëzve që ne do t’i sanksionojmë dhe siç e kemi parë me rastet që cituat, sanksionet mbesin pavarësisht vendimeve gjyqësore që janë marrë për ata individë, por nuk nxisin asnjë proces gjyqësor këtu. Kjo i takon qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kjo u takon zyrtarëve të zgjedhur nga njerëzve të këtij vendi. Ata duhet të thonë: ne kërkojmë nga të zgjedhurit tanë të mbajnë përgjegjësi për korrupsionin që shohim çdo ditë”, deklaroi Angela Ageler, ambasadore e SHBA-së në Maqedoni.