Zjarr në kulmin e ndërtesës së Radio Kosovës

Zjarri që ka rënë në kulmin e ndërtesës së Radio Kosovës, që ndodhet në qendër të Prishtinës, ka bërë që i tërë objekti të mbetet pa energji elektrike.

Zjarrëfikësit kanë intervenuar pasi kanë marrë një thirrje për rënie të zjarrit në këtë ndërtesë, raporton Televizioni Publik i Kosovës.

Në vend të ngjarjes janë edhe njësitet policore.
Në orët e vona, numri i punëtorëve në ndërtesë është i vogël, por në këtë objekt ndodhën shumë njësi të rëndësishme të RTK-së.

Mes tyre, janë edhe Radio Kosova 1, Radio Kosova 2 si dhe portali Rtklive.

Të gjitha këto media që janë në kuadër të RTK-së, për shkak të mungesës së energjisë elektrike, aktualisht janë jashtë funksionit.

Edhe më tej, nuk dihen shkaqet e rënies së këtij zjarri.

Gazeta Express ka tentuar të marrë një përgjigje nga Policia e Kosovës në lidhje me rastin, por të njëjtit ende nuk janë përgjigjur.