Kurti: Serbia nuk mund të vendosë për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Serbia nuk mund të vendosë për Kosovën, kur u pyet se ai sheh zgjedhjet e përgjithshme si lloj referendumi për Asociacionin. Ai u shpreh se Asociacion njëetnik në Kosovën me Kushtetutë shumëetnike nuk është i mundur.


“Ne e kemi thënë gjerë e gjatë qëndrimin tonë për Asociacionin për komunat me shumicë serbe. Asociacion njëetnik në Kosovën me Kushtetutë shumëetnike nuk është e mundshme”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Ai tha se shumë më tepër shqiptarë ka në Serbi se sa serbë në Kosovë dhe se nëse Serbia dëshiron që në Kosovë të këtë zgjedhje njëetnike, “le ta provojë njëherë në shtëpinë e saj”.

“Pakicat kombëtare në Serbi janë gati 20 për qind, pakicat kombëtare në Kosovë janë rreth 7 për qind, pra Asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë e Presheva, Medvegja e Bujanovci ta kenë vetëm atë Këshillin Nacional atje, është e padrejtë, e dëmshme edhe e paparanueshme. Nëse Serbia dëshiron që të ketë zgjedhje njëetnike, le ta provojë njëherë në shtëpinë e saj”, shtoi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Nga ana tjetër ambasadori amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier, përsëriti qëndrimin se Kosova duhet të ecë drejt formimit të Asociacionit. Ai tha se qëndrimi i ShBA-së është që ky Asociacion nuk duhet të jetë Republikë Serbe, e as me kompetenca ekzekutive.

“Më lejoni që t’i them tri pika, të cilat nuk janë të reja. E para është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë se tani ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës duhet të ecë përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. E dyta është se kemi qenë shumë të qartë se çka nuk duhet të jetë. Asociacioni nuk duhet të jetë Republikë Serbe, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Pra, sërish çështje të cilat i kemi përmendur dhe janë edhe në deklaratë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë po aq të qëndrueshme dhe të rrepta në mbështetjen e tyre për Kosovën siç kanë qenë gjithmonë për një shtet, i cili është sovran, demokratik, shumëetnik dhe i pavarur. Ne shohim drejt Qeverisë së Kosovës se si do ta përmbushë këtë vizion duke ju përmbajtur edhe atyre parimeve”, deklaroi Xhefri Hovenier, Ambasador i SHBA-së në Kosovë.

Marrëveshja për Asociacionin është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.