Kryqi i kuq, ndihmat për tërmetin në Turqi e Siri, Saiti: Problem në doganë, ndihmoni vetëm me para

Qytetarët që dëshirojnë të ndihmojnë për rajonet e prekura nga tërmeti në Turqi dhe Siri, donacionet duhet t’i japin vetëm në formë parash, apelon Kryqi i Kuq.


Donacionet ushqimore, veshmbathjet, gjësendet shtëpiake dhe materiale të tjera që grumbullohen nëpër punktet humanitare, nuk kanë mundësi t’i dërgojnë për shkak të procedurave të vështira doganore, sepse ligjet kërkojnë që për produktet të kenë vërtetimin e origjinës dhe deklaratën. Produkte mund të donojnë vetëm ndërmarrjet dhe fabrikat që i posedojnë këto dokumente.

“Rregulloret dhe rregullat janë të ndryshme dhe nuk mund t’u premtoj që nëse mi sillni 10 batanije, disa nxemje, tesha, gjësende të tilla, pra, unë apo thënë shkurt organizata jonë nuk premtoj që mund t’i dërgojmë deri te familjet e prekura, sepse nuk dimë në çfarë forme ta deklarojmë në doganë, si të sigurohet prejardhja, si mund të sigurojmë dokument që është valid dhe me bazë ligjore, që do të na shërbej për eksport, për këtë arsye kemi vështirësi dhe problem.”, – deklaroi sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kyq, Sait Saiti.

“Në rrjetet sociale të Ambasadës do të jenë të disponueshme udhëzimet e përgatitura nga ana e Kryqit të Kuq për listën e ndihmës së nevojshme, si dhe procedurat që organizatat dhe personat duhet t’i ndjekin për dorëzimin e ndihmës në Kryqin e Kuq.”, – theksoi ambasadori i Turqisë në RMV.

Përmes donacioneve me linjë telefonike dhe fondin e solidaritetit të Kryqit të Kuq deri tani janë grumbulluar 10 milion denarë. Gjithashtu, Kryqi i Kuq i RMV-së ka ndare edhe 1.000 pako ushqimore familjare dhe 1.000 pako higjienike dhe 4.000 batanije.

Në bashkëpunim me Gjysmë Hënën e Kuqe të Turqisë do të vazhdojnë të koordinojë dhe mobilizojë përpjekjet humanitare të qytetarëve dhe kompanive qe ofrojnë mbështetjen për popullatën e prekur nga tërmetet në Turqi dhe Siri.