Grubi: Mos u bëni mashë e tjetërkujt, rreshtohuni me BE-në dhe NATO-n, bashkohuni Ali Ahmetit

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë – Artan Grubi, së bashku me kolegët tjerë ministra, si dhe funksionarë partiakë, mbrëmjen e së shtunës, së bashku me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, kanë qëndruar në komunën e Tearcës në një bashkëbisedim me qytetarë dhe bazën partiake.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi tha se fenomeni Ahmeti, fiton lufta, me arritje në paqe dhe zgjedhje për 22 vite me radhë, me frymë që gjatë tërë kohës luftoi për liri dhe barazi dhe solli paqe e barazi.

“Të dashur qytetarë, ju jeni mbështetës të frymës Ahmetiane. Fenomeni Ahmetist, që fiton lufta, paqe dhe zgjedhje për 22 vite me radhë, frymë që gjatë tërë kohës luftoi për liri dhe barazi dhe solli paqe e barazi. Solli përfaqësim, flamur, gjuhë, universitete, kryetar kuvendi shqiptar, deputetë, ministra, drejtorë, gjykatës e ekspertë. Më tha Edi Rama, unë e mora Ali Ahmetin vesh pas 15 viteve, dhe i thashë ‘hallall!’ BDI ndër vite ka kryer punët e veta, asgjë nuk filloi me Artan Grubin e as me ndonjë tjetër prej nesh, por vazhduam punët që nisën dje, dikur prej të tjerëve”, tha zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi para banorëve të Tearcës.

Shumë projekte, theksoi Grubi më tej në fjalën e tij, në të mirë të shqiptarëve, kemi mbështetur, kemi përkrahur dhe kemi siguruar mjete brenda ditës. Isha deputet dhe nuk flisnin Bujari e Visari, ndërmjetësoja unë në biseda dhe siguruam 2 milionë euro për çerdhen e Çairit.
“Ndamë fonde për Çairin, kthyem e rigjeneruam projekte. Nga gjithë kjo punë që bëjmë po na dalin grupe, dikush me barut të lagur e dikush me kallasha lodër, që janë keqpërdorues, por ne jemi grup Ahmetist, grupi i Ali Ahmetit që vazhdon punën disa dekadash. Grup që lufton hajninë, korrupsionin, keqpërdorimin, frymën pro ruse, izoluese, anti NATO, anti BE, ndaj mos u bëni mashë e tjetër kujt por bashkohuni Ali Ahmetit. Mos ju besoni atyre që ju frikësojnë, por atyre që punojnë. Nuk jetohet me frikë, sepse ngelemi ne regres teksa të tjerët ecin përpara. U bë marrëveshja e Ohrit, u bë NATO, tani duhet të bëhet BE, të ndalohet migrimi, të përmirësojmë kushtet për qytetarët tanë. Ne jemi Ahmetist, ndaj ejani dhe bashkohuni me neve”, nënvizoi Grubi.