Haradinaj kujton të rënët në Rogovë të Hasit: Rënia e tyre u bë frymëzim për ne

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar ata që dhanë jetën për liri në Rugovë të Hasit në janar të vitit 1999.


Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ngjarja e 24 vjetëve më parë në Rogovë të Hasit ishte njëra prej ngjarjeve më të dhimbshme por njëkohësisht edhe njëra prej momenteve më të lavdishme të luftës për liri.

“Datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 ishin të rënda për ecurinë tonë në luftën çlirimtare. Ngjarja e para 24 vjetëve në Rogovë të Hasit, ishte njëra prej ngjarjeve të dhimbshme, por njëkohësisht edhe njëra prej momenteve më të lavdishme të luftës sonë për liri. Ato ditë, u përjetësuan shumë luftëtarë të zotë, shumicën e të cilëve kisha rastin t’i njoh nga vijat e frontit, të cilët kishin marrë rrugë drejt kufirit me Shqipërinë e të ktheheshin me armatimin që aq shumë iu duhej luftëtarëve të lirisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai tha se rënia e dëshmorëve u bë frymëzim për të vazhduar luftën deri në çlirim.

“Rënia e tyre u bë frymëzim për ne që të vazhdonim luftën deri në çlirim. Emrat e tyre janë pjesë e historisë më të re të Kosovës dhe lavdia për ta do të jetë e përjetshme”, ka shtuar ai.