Ali Ahmeti: Të mos merremi me temat e viteve të kaluara, të rreshtohemi të gjithë për BE

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në takimin e së martës me qytetarët dhe bazën partiake me moton “Bashkë për Europë” në Vrapçishtë tha se ai dhe subjekti i tij politik angazhohet për paqe, stabilitet, siguri, veting, mirëqenie.


“Në veting të përfshihen të gjithë politikanet, pavarësisht a është parti e madhe ose e vogël, t’i shohim këta politikanë si janë dhe si kanë qenë, të gjithë pa përjashtim! Dëgjojmë akuza e shpifje për vjedhje, por unë nuk merrem me arsyetime boshe duke thënë nuk jam, nuk jam, vetingu do t’i vërtetojë të gjitha. Angazhohemi për unifikim të politikave në vend, sepse tashmë është momenti vendimtar për bashkim dhe gjuhë të përbashkët, tani është momenti për frontin Pro BE. Shqiptarët bashkë me bashkëqytetarët tanë duhet të bashkohemi, ndaj mos të kapemi me tema që kanë të bëjnë më 20 vitet e kaluara, por të shohim nga e ardhmja. BDI ka dalë nga procese të rëndësishme ndaj duhet investuar në rini dhe të sakrifikojmë për më të mirën e tyre, unë 40 vjeçar isha kur fillova luftë, ndaj sot edhe shumë breza janë rritur me BDI. Angazhohemi kundër burokracisë, pro transparencës dhe llogaridhënies, sepse janë të holla të mbledhura nga taksapaguesit”, tha Ahmeti në fjalën e tij.

Skriningu, shtoj ai, duhet të përfundojë në nëntor, ndaj duhet të kalojmë hap pas hapi këtë proces.

“Kemi shumë punë ende për të bërë, sepse vetëm kështu i afrohemi Europës, kështu arrihet një standard më i mirë dhe ndalohet migrimi dhe njerëzit rrinë dhe kthehen në vendin e tyre. Hajde të bashkohemi gjithë shqiptarët, ta bëjmë frontin pro BE, të thërrasim dhe bashkëqytetarët tanë maqedonas dhe ta çojmë këtë vend drejt BE-së. Me NATO-n sa të mira përfituam, kemi siguri në shtet dhe jemi të barabartë me të gjitha vendet anëtare. Ne luftojmë kundër krimit, korrupsionit, kundër përçarjeve, ndasive, sepse kemi punuar dhe do punojmë për bashkim dhe afrim rreth një platforme të përbashkët, për gjeneratat e reja, sepse mbi supet e tyre ngriten gjenerata të tjera. Jam krenar me kuadrot tona, sepse më bëjnë faqebardhe ngado që na përfaqësojnë, prandaj duhet investuar në kuadro kualitative”, theksoi Ahmeti.