Sulmet e orkestruara nga Beogradi në veri/ Zbulohen grupe të strukturuara me përvojë ushtarake

Tensionet në veri të martën arritën thuajse kulminacionin, bombat u hodhën, shok-bombat po, edhe të shtënat me armë zjarri nuk u ndalën. I gjithë ai arsenal u përdor nga grupet kriminale, të cilat po i koordinojnë shërbimet sekrete serbe.

Ata kësaj here nuk shkaktuan gjakderdhje duke e dërguar si mesazh paralajmërues shantazhi ndaj institucioneve të Republikës tonë.

Civilë ta maskuar, disa prej të cilëve ish-policë të Kosovës, që sapo e kanë braktisur policinë, së bashku me disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut penguan të martën hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente të rrezikshme, me rrezikim jete, por pa pasoja në njerëz.

Në këto dy komuna, ashtu si edhe në Zveçan dhe Leposaviq – që të gjitha të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës – pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë, më 18 dhjetor.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, gjatë vizitës së veriut të mërkurën, tha se “grupe të organizuara, me disa individë të maskuar” i sulmuan zyrtarët zgjedhorë dhe policët “me shok bomba dhe të shtëna në ajër”.

Ai tha se aktet që kanë qëllim pengimin e procesit zgjedhor, janë të papranueshme.

Reagimet për këtë ngjarje nuk munguan as nga Presidentja e Kryeministri i vendit, të cilët po ashtu e kanë parë të papranueshme këto veprime.

E në lidhje me këto ngjarje që tensionuan vendin tonë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka mbajtur një konferencë për media, duke dhënë detaje për rastin.

Ai u shpreh se disa nga kryerësit e sulmeve të djeshme në veri të vendit janë ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë dhënë dorëheqje kohët e fundit.

Pas sulmeve me shok-bomba, granata dore e armë zjarri në Zubin Potok dhe veri të Mitrovicës, Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale po angazhohen që kryesit e veprave të dalin sa më parë para drejtësisë.

Tërnava: Ndërkombëtarët të reagojnë ndaj Serbisë

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava në një bashkëbisedim me “Bota sot” thotë se që nga dorëheqja e serbëve tensionet nuk kanë pasur të ndaluar.

Sipas ekspertit te sigurisë të mëdhenjtë e shtetit të Serbisë qëndrojnë mbrapa këtyre urdhrave.

Hajrullah Tërnava
“Veriu i Kosovës tani mbas asaj që serbët kanë dhënë dorëheqjet e tyre në të gjitha institucionet e shtetit, sidomos deputetët e Kuvendit të Kosovës me Listën Serbe, policia, gjykatësit, prokurorët, asamblistët dhe shumë të tjerë, me një fjalë të gjithë serbët e atyre pjesëve që kanë qenë të punësuar nëpër institucionet e shtetit kanë dhënë dorëheqje, dhe me këtë situatë të krijuar gjendja është tani e ndërlikuar dhe mjaft e tendosur. Kjo situatë e tillë tani e krijuar e ka atë epiqendrën e saj ku marrin urdhra për këto veprime e që është Beogradi, sepse ka edhe serb të tillë të Kosovës që po japin deklarata, që e pranojnë se i kanë të imponuara këto dorëheqje dhe gjithsesi që nuk kanë qare pa vepruar ashtu. Prandaj në bazë të këtyre të thënave është lehtë të nënkuptohet dhe të kuptohet se të mëdhenjtë e shtetit të Serbisë qëndrojnë mbrapa këtyre urdhrave, dhe ata sulmues për Serbinë janë të njohur, sepse vet kryetari Vuçiq e pati dekoruar kryekomandantin e policisë dhe të tjerë të veriut të Mitrovicës kur dhanë dorëheqje”, thotë ai.

Eksperti i sigurisë më tej kujton deklaratat që Vuçiqi kishte bërë për shqiptarët duke vënë në theks masakrat që kanë bërë në Srebrenicë dhe Bosnjë e Hercegovinë.

“Edhe Samiti BE-së shumë shteteve të BE-së në Tiranë, ku si temë diskutimi është që Serbia të radhitet bashkë me shtetet tjera të Evropës për sanksione ndaj Rusisë, edhe që Vuçiqi u deklarue se është i përafërt me Rusinë dhe nuk mundet ai vetëm të vendos për sanksionet. Por, për sanksionet mund të vendosë populli i Serbisë, e që na kanë me nënkuptue se a do mundet me e siguru këtë leje për sanksione nga populli i vetë, gjë që edhe kjo lojë e Vuçiqit është një konsum politik, sepse Vuçiqi e dinë mirë se ai dhe të tjerët i takojnë asaj garniturës të qeverisjes së Millosheviqit që në Bosnjë dhe Hercegovinë bënë masakra masive si në Srebrenicë. Për ato masakra bash ky Vuçiqi u deklaru se për një serb të vrarë do t’i vrasim 100 myslimanë, prandaj ky e ka “mizën pas veshit” dhe i tutet që në të ardhmen mund të krijohet një gjykatë speciale ku ai vet dhe me shokë të tjerë që i ka në qeveri, mund të jenë njëri prej të akuzuarve në atë gjyq, prandaj si shpëtim ai e sheh në këtë rast Rusinë”, shpjegon ai.

Ai thotë se situata në këto momente mund edhe të përkeqësohet, por një luftë ashtu si ekziston frika, nuk mund të ndodhë, sepse është KFOR-i që e garanton territorin e Kosovës.

“Ndërkombëtarët tërë këtë situatë e kanë të qartë, por ata edhe që nuk nguten dojnë që Serbisë t’i jepet një shans dhe ta përfitojnë me veprimet e tyre triumfuese dhe në pajtueshmëri që t’i arrijnë ato qëllime dhe Serbinë ta kthejnë si anëtare të Evropës, dhe tani pajtimi me Kosovën do të është më i lehtë, e sidomos kur e kemi të qartë se luftërat speciale në këto kohëra janë intensive dhe ato i kuptojnë vetëm ata që i ndërmjetësojnë këto mosmarrëveshje dhe të fortit e botës. Situata në këto momente mundet edhe të përkeqësohet, por një luftë ashtu si ekziston frika nuk mund të ndodhë, sepse mos të harrojmë se KFOR-i është garantues i territorit të Kosovës e që si pjesë e saj është edhe veriu i Kosovës, e kur dihet se në të kaluarën e vitit 1999 Serbia u ballafaqua me një luftë të tillë me NATO-n, që iu deshtë edhe ta nënshkruan kapitullimin e Kumanovës si humbje të Kosovës”, u shpreh Tërnava për “Bota sot”.

Shala: Po cenohet siguria nacionale e vendit

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Drizan Shala
Ai u shpreh që planifikimi, veprimi dhe tërheqja janë tri elemente që kanë krijuar këtë situatë në veri.

Sipas ekspertit pas këtyre sulmeve qëndron një grup që është i strukturuar mirë që të provojë sigurinë ushtarake të vendit tonë.

“Planifikim/Veprim/Tërheqje , janë tri elemente që po vërehen në këtë situatë të krijuar në veri.

Pra, mbrapa tyre qëndron një grup që është mirë i strukturuar dhe me përvojë sigurie/ushtarake dhe që sjell para përgjegjësisë Serbinë me të gjithë aparaturën e saj kriminale/shtetërore”, thotë eksperti i sigurisë.

Në fund, ai potencon që nëse nuk normalizohen tensionet në nivel politik atëherë po cenohet siguria nacionale e vendit.

“Tensionet nëse nuk neutralizohen nga niveli politik do ta gjejnë në një pozicion të rëndë duke cenuar sigurinë nacionale të vendit”, nënvizoi Shala për “Bota sot”.